RIVLERËSIMI I PRONAVE NË RRITJE/ Pipiria: 600 milionë euro të deklaruara dhe 30 milionë të ardhura për shtetin
Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme po vijon me ritme të larta dhe me rritje të dukshme të vlerave të deklaruara.
Sipas të dhënave të përfshira në këtë proces, deri tani janë dokumentuar rreth 600 milionë euro pasuri, nga të cilat shteti ka përfituar rreth 30 milionë euro.
Në këtë kuadër, vlera mesatare e një prone të rivlerësuar ka arritur në 63 mijë deri në 65 mijë euro, një nivel dukshëm më i lartë krahasuar me fushatat e mëparshme.
Në një intervistë për Ora News, Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i NAREA, dha një pasqyrim mbi dinamikën e këtij procesi dhe arsyet e rritjes së vlerave.
“Deri tani kemi rreth 600 milionë euro pasuri të dokumentuara, që kanë sjellë rreth 30 milionë euro të ardhura për buxhetin e shtetit. Ndërkohë, vlera mesatare e rivlerësimit sot është rreth 63 deri në 65 mijë euro, më e lartë se në vitet e kaluara.”-shtoi Pipiria.
Ai krahasoi edhe periudhat e mëparshme, duke theksuar se në vitet 2020–2022, vlera mesatare e një pasurie ishte ndjeshëm më e ulët.
“Në fushatat e mëparshme, mesatarja ishte rreth 35 deri në 40 mijë euro. Sot kemi një rritje gati 1.5 herë më shumë, që tregon ndryshimet në treg.”- u shpreh ai.
Sipas tij, disa faktorë kanë ndikuar në këtë rritje. Një pjesë e pronave janë të vjetra dhe nuk janë rivlerësuar prej kohësh, ndërsa diferenca me çmimet aktuale të tregut është bërë e madhe.
Një tjetër kategori janë pronat e blera me kontrata porosie vite më parë, kur çmimet ishin më të ulëta. Gjithashtu, ndikim ka pasur edhe legalizimi i ndërtimeve, ku vlerat fillestare janë llogaritur me kosto shumë më të ulët se tregu aktual.
Eksperti shtoi se një pjesë e qytetarëve po përfitojnë nga fakti që ky mund të jetë një nga proceset e fundit të rivlerësimit me taksë të lehtësuar, duke i deklaruar pronat afër ose pak mbi çmimin aktual të tregut.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

