Raporti: Inceneratorët jofunksionalë të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit me boshllëqe mes legjislacionit mjedisor dhe zbatimit
Një raport i hartuar këtë muaj nga Bankwatch thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur edhe Shqipërinë, po trajtojnë mbetjet përmes projekteve me inceneratorë jo funksionalë.
Tabela për Shqipërinë nxjerr në pah fazën jo-operacionale të këtyre projekteve, të financuara përmes partneritetit publik-privat, që u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 350 milionë euro.
Raporti thekson se inceneratorët kërkojnë kapital të konsiderueshëm fillestar dhe shlyerje të borxhit afatgjatë, ndërsa prodhojnë mbetje toksike që kërkojnë territor me elementë të kushtueshëm.
Po ashtu, ngrihet shqetësimi se buxhetet bashkiake dhe kapacitetet qeverisëse mbeten të dobëta, vazhdojnë boshllëqet midis legjislacionit mjedisor dhe zbatimit të tij aktual. Në këtë kontekst, inceneratorët e rinj të mbeturinave do të zgjeronin deficitet e buxheteve për këto projekte, në vend që t'i mbyllnin ato.
CNA ka investiguar, raportuar dhe denoncuar në mënyrë të pandërprerë çështjen e inceneratorëve, që është marrë nën hetim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).
Një pjesë e zyrtarëve të përfshirë janë dënuar, ndërsa një pjesë janë shpallur në kërkim.
Përmes një komunikate zyrtare për media, SPAK pohoi se pas hetimeve të kryera rezulton se pronarë “de facto” edhe në impiantin e përpunimit të mbetjeve në Tiranë, janë shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Këta dy shtetas, që njihen si ‘truri’ i inceneratorëve, Mërtiri dhe Zoto janë në arrati, ndërkohë që hetimet vijojnë, pavarësisht se prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, duket se e ka lënë dosjen në harresë./CNA

