Marrëveshja 6 mld $ me SHBA-të, Malaj: Investimet e huaja po arrijnë nivele rekord në Shqipëri

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar pas pyetjes së gazetarit të Ora News, Bekim Bici, lidhur me marrëveshjen trepalëshe të nënshkruar mes Shqipërisë dhe dy kompanive amerikane dhe greke në fushën e energjisë.

"Në lidhje me marrëveshjen e firmosur dje, unë besoj që ky është një informacion të cilin ju duhet ta merrni nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në qoftë se flasim për investime të huaja, pra në qoftë se flasim për investime në vlerën 6 miliardë apo 600 milionë euro, këto janë investime që natyrisht ndodhin në territorin shqiptar.

Në qoftë se do t’i referohemi investimeve të huaja që ndodhin në Republikën e Shqipërisë, vetëm po t'i referohemi nëntëmujorit të parë të vitit 2025 pra, ka qenë një nivel rekord investimesh të huaja në Shqipëri, prej rreth 1.6 miliardë eurosh, që do të thotë edhe kjo është një shtesë e investimeve të huaja që ndodh në Republikën e Shqipërisë", u shpreh Malaj.

Gazetari, Bekim Bici: Zoti Ministër, kur do të nisë zbatimi i ligjit për fshirjen e borxheve dhe paqja fiskale dhe sa kohë duhen aktet për t'u hartuar e miratuar dhe çfarë ndodh me borxhet e bizneseve që i prek ligji, pra fshirja e tyre? Çfarë ndodh aktualisht?

Malaj: Përsa i përket akteve nënligjore, ato janë drejt fazës finale të tyre. Unë besoj që shumë shpejt do të dalim me aktet nënligjore dhe me udhëzimet përkatëse përsa i përket qoftë paqes fiskale, qoftë fshirjes së detyrimeve.

Ka qenë një periudhë në të cilën ne kemi diskutuar dhe kemi negociuar me organizma ndërkombëtarë për aktet nënligjore, ashtu siç bëmë edhe me ligjet në vetvete.

Kështu që besoj që shumë shpejt do të dalim me këto akte nënligjore. Jam besimplotë që brenda muajit maj do t’i kemi mbyllur të gjitha proceset respektive.

Ndërkohë për pjesën e fshirjes së detyrimeve tatimore dhe doganore, patjetër që ato do të jenë në linjë me ato që janë parashikuar në ligj. Aktet nënligjore dhe udhëzimet janë më tepër pjesë e sqarimit se si do të bëhet procedura dhe patjetër që do të përfitojnë që të gjithë tatimpaguesit që plotësojnë kriteret e ligjit të faljes së detyrimeve.