Libani kërkon negociata direkte me Izraelin/ Presidenti Aoun: Pa armëpushim nuk ka dialog

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka bërë të ditur se vendi i tij po pret nga Shtëpia e Bardhë caktimin e një date për fillimin e negociatave të drejtpërdrejta me Izraelin.

Ai u shpreh se e vetmja rrugë për të garantuar sigurinë në rajon është dialogu, por nënvizoi se më parë duhet të arrihet një armëpushim i plotë.

Aoun shtoi se përdorimi i forcës nuk ka sjellë rezultate në të kaluarën dhe nuk do të sjellë as tani, duke iu referuar situatës në zonat kufitare mes dy vendeve.

“Nëse Izraeli mendon se përmes shkatërrimeve dhe sulmeve në fshatrat kufitare mund të garantojë siguri, kjo rrugë nuk funksionon,” është shprehur ai.

Ndërkohë, armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut, i ndërmjetësuar nga SHBA dhe i zgjatur së fundmi për disa javë të tjera, vijon të mbahet në një situatë të brishtë për shkak të tensioneve të vazhdueshme në kufi.