AKUZË NDAJ COMEY/ Postimi në Instagram ndez debat për k*rcënim ndaj Trump
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, akuzohet për kërcënim me jete ndaj Donald Trump pas një postimi të diskutueshëm në rrjetet sociale, ndërsa ai mohon çdo qëllim të tillë.
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, përballet me akuza të reja penale në Shtetet e Bashkuara, pasi dyshohet se ka kërcënuar jetën e presidentit Donald Trump përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në qendër të çështjes është një foto e publikuar në Instagram, ku shfaqeshin guaska deti të vendosura në formën e numrave “86 47”. Sipas prokurorisë, ky kombinim mund të interpretohet si një mesazh kërcënues ndaj presidentit të 47-të të SHBA-së.
Comey ka mohuar çdo qëllim të tillë, duke deklaruar se nuk ishte në dijeni të kuptimit që mund t’u atribuohej këtyre numrave. “Jam ende i pafajshëm dhe besoj në drejtësinë federale”, tha ai pas shpalljes së aktakuzës.
Ndërkohë, drejtori aktual i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se si ish-kreu i agjencisë, Comey ishte plotësisht i vetëdijshëm për ndikimin dhe pasojat e një postimi të tillë publik.
Sipas dokumenteve gjyqësore, ai përballet me akuza për kërcënim ndaj presidentit dhe transmetim të një kërcënimi, vepra që mund të dënohen deri në 10 vite burg secila.
Çështja ka ndezur debat të fortë në SHBA, me disa ekspertë ligjorë që e konsiderojnë aktakuzën të dobët dhe potencialisht në kundërshtim me lirinë e shprehjes të garantuar nga Kushtetuta.
Nga ana tjetër, presidenti Trump ka reaguar ashpër, duke deklaruar se “edhe një fëmijë e kupton kuptimin e këtij mesazhi”.
Kjo është përpjekja e dytë e autoriteteve për të ndjekur penalisht Comey-n, një figurë që ka qenë prej kohësh në konflikt me Trump, që nga hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Në një klimë politike të tensionuar, rasti pritet të kthehet në një tjetër betejë të fortë ligjore dhe politike në Shtetet e Bashkuara.
