IAEA ngre alarmin: Uraniumi iranian mund të jetë ende në vendin e goditur nga SHBA dhe Izraeli

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së International Atomic Energy Agency beson se pjesa më e madhe e uraniumit të pasuruar të Iranit ndodhet ende në një kompleks bërthamor pranë Isfahanit, i cili është goditur më parë nga sulme ajrore.

Drejtori i përgjithshëm i agjencisë, Rafael Mariano Grossi, tha në një intervistë për Associated Press se bazuar në imazhe satelitore, objekti ka pësuar dëmtime nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit, por materiali nuk është zhvendosur në masë.

Sipas tij, uraniumi i pasuruar ka qenë i ruajtur në atë vend që nga qershori 2025 dhe agjencia nuk ka pasur mundësi të verifikojë në terren nëse ai ndodhet ende aty apo nëse kontrollet e sigurisë janë të paprekura.

IAEA kërkon gjithashtu inspektime në objektet bërthamore në Natanz dhe Fordo, ku dyshohet se ndodhen sasi të tjera materialesh bërthamore.

Grossi ka bërë të ditur se është diskutuar edhe mundësia e transferimit të uraniumit të pasuruar të Iranit jashtë vendit, por kjo konsiderohet një proces shumë i ndërlikuar. Një tjetër opsion është përzierja e tij me materiale të tjera për të ulur nivelin e pasurimit, që sipas vlerësimeve është afër nivelit të përdorur për armë bërthamore.