The Economist: BE nuk fshihet më pas vetos së Hungarisë për Ukrainën, rritet presioni për anëtarësim
Udhëheqja e re politike në Hungari dhe mundësia e largimit të Viktor Orban kanë shtuar debatet në Bashkimin Evropian për procesin e anëtarësimit të Ukrainës.
Sipas “The Economist”, vendet e BE-së nuk mund të justifikojnë më vonesat duke u fshehur pas vetos së Hungarisë, ndërsa qëndrimet e Francës dhe Gjermanisë mbeten të kujdesshme për një anëtarësim të plotë të Ukrainës në bllok.
Raporti thekson se disa vende evropiane kanë rezerva për shkak të gjendjes politike dhe ekonomike në Ukrainë, duke e cilësuar atë si një demokraci ende të brishtë dhe me probleme të brendshme, përfshirë edhe sektorin bujqësor që shihet si faktor shqetësues për tregjet evropiane.
Ndërkohë, “Financial Times” ka raportuar se Gjermania ka propozuar një format të ndërmjetëm për Ukrainën, si anëtar i asociuar i BE-së. Ky status do t’i lejonte Kievit pjesëmarrje në disa takime të nivelit të lartë, por pa të drejtë vote dhe pa akses të plotë në fondet e Bashkimit Evropian.
Në Francë ky model është përshkruar si “shtet i integruar”, ku Ukraina do të përfshihej gradualisht në politikat e BE-së, por pa u bërë menjëherë pjesë e tyre, sidomos në fusha si bujqësia dhe financimet.
Sipas raportimeve, Berlini dhe Parisi e shohin këtë si një hap simbolik të rëndësishëm për Ukrainën, ndërsa Gjermania ka sugjeruar edhe përfshirjen e një klauzole mbrojtjeje të ndërsjellë, për shkak të mungesës së garancive të plota të sigurisë në NATO.

