Hegseth në Kongres: Aleatët që investojnë në mbrojtje do mbështeten, të tjerët përballen me pasoja

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth ka deklaruar gjatë një seance dëgjimore në Kongres se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin aleatët që rrisin shpenzimet dhe kapacitetet e tyre mbrojtëse, ndërsa vendet që nuk përmbushin detyrimet e tyre mund të përballen me pasoja.

Ai përmendi si shembuj aleatë që, sipas tij, po investojnë në mbrojtje, si Izraeli, Koreja e Jugut, Polonia, Finlanda dhe vendet baltike, duke i cilësuar si partnerë që do të kenë mbështetje të veçantë nga SHBA.

Hegseth tha gjithashtu se buxheti i ri i mbrojtjes, i propozuar nga presidenti Donald Trump, synon të forcojë ushtrinë amerikane dhe industrinë e mbrojtjes, në një kohë që ai e cilësoi me sfida të shumta globale.

Ai foli edhe për Iranin, duke thënë se SHBA kërkon ta çojë atë drejt negociatave për një marrëveshje të re bërthamore.

Sipas tij, Irani vazhdon të ketë ambicie bërthamore dhe kapacitete raketore, pavarësisht goditjeve të mëparshme ndaj objekteve të tij.

Sa i përket Kinës, ai tha se qasja e SHBA-së synon një marrëdhënie më të balancuar, jo përplasje të drejtpërdrejtë apo dominim.

Gjatë dëshmisë, Hegseth kritikoi edhe debatet politike në SHBA për mënyrën se si po trajtohen konfliktet ndërkombëtare, duke thënë se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm për sigurinë e tij kombëtare.