11 lloje k*nceri më të shpeshta tek të rinjtë/ Rritja e mbipeshës dhe obezitetit mund të jetë një faktor i rëndësishëm
Një studim i ri nga Instituti kërkimor për kancerin në Londër tregon se 11 lloje të sëmundjes po bëhen gjithnjë e më të shpeshta tek të rinjtë. Shkaku mbetet i paqartë, por rritja e mbipeshës dhe obezitetit konsiderohet një faktor i rëndësishëm.
Një analizë e re nga Institute of Cancer Research dhe Imperial College London ka zbuluar një prirje shqetësuese se 11 lloje kanceri po bëhen gjithnjë e më të shpeshta tek të rinjtë.
Sipas raportit, kanceret që po rriten përfshijnë kancerin e zorrës së trashë, gjirit, tiroides, mëlçisë, pankreasit, veshkave, fshikëzës së tëmthit, vezoreve, mitrës, gojës dhe mielomën multiple.
Më të zakonshmit tek të rinjtë janë kanceri i zorrës dhe ai i gjirit, me rreth 11,500 raste në vit të kombinuara.
Megjithatë, disa prej këtyre kancereve janë ende relativisht të rralla në këtë grupmoshë.
Një nga rastet që ka tërhequr vëmendjen është ai i Bradley Coombes, i cili vdiq nga kanceri i zorrës në moshën 23-vjeçare.
Nëna e tij, Caroline Mousdale, tregon se simptomat e tij dhimbje barku, humbje peshe, diarre dhe gjakderdhje u neglizhuan për një kohë të gjatë për shkak të moshës së re.
Diagnostikimi erdhi shumë vonë, kur sëmundja kishte avancuar ndjeshëm.
Studiuesit ende nuk kanë një shpjegim të plotë për këtë fenomen, por të dhënat tregojnë se rritja e mbipeshës dhe obezitetit gjatë dekadave të fundit mund të jetë një faktor i rëndësishëm.
Shkencëtarët po hetojnë edhe faktorë të tjerë të mundshëm, si ushqimet e përpunuara, ndotja e ajrit, përdorimi i antibiotikëve dhe kimikatet industriale.
Studiuesit analizuan gjithashtu faktorët e njohur të rrezikut si duhanpirja, konsumimi i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik dhe dieta e varfër.
Ekspertët theksojnë se, pavarësisht rritjes së rasteve tek të rinjtë, kanceri mbetet shumë më i zakonshëm tek moshat më të mëdha. Rreth 1 në 1,000 persona të rinj diagnostikohen çdo vit, krahasuar me 1 në 100 tek grupmoshat mbi 50 vjeç
