“Heathrow” paralajmëron ndikim nga lufta në Lindjen e Mesme mbi trafikun ajror
Aeroporti “Heathrow” ka paralajmëruar se numri i pasagjerëve për pjesën e mbetur të vitit mund të ndikohet nga situata e pasigurt në Lindjen e Mesme.
Rreth 18,9 milionë pasagjerë kaluan në katër terminalet e aeroportit gjatë tre muajve të parë të vitit, një rritje prej 3,7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas drejtuesve të aeroportit, kjo rritje lidhet me faktin se aeroporti “Heathrow” “thithi” përkohësisht kërkesën nga aeroporte të tjera të prekura.
Aeroporte kyçe në rajon, si “Dubai International Airport”, “Hamad International Airport” dhe “Abu Dhabi International Airport”, shërbejnë zakonisht rreth gjysmë milioni pasagjerë në ditë dhe janë nyje thelbësore për lidhjet ajrore mes Evropës, Azisë dhe Australisë.
Mbylljet e hapësirës ajrore pas shpërthimit të luftës më 28 shkurt patën ndikim të madh në udhëtimet ajrore.
Edhe pse pjesa më e madhe e hapësirës ajrore është rihapur, shumë udhëtarë vazhdojnë të shmangin fluturimet drejt rajonit për shkak të konfliktit.
Në një përditësim financiar, “Heathrow” theksoi se, pavarësisht rritjes së përkohshme të trafikut, “numri i pasagjerëve për pjesën tjetër të vitit ka të ngjarë të ndikohet për shkak të pasigurive të konsiderueshme në Lindjen e Mesme”.
Të ardhurat e aeroportit për tremujorin e parë arritën në 844 milionë paund (rreth 1,14 miliardë dollarë), një rritje prej 2,3% krahasuar me një vit më parë, e nxitur nga shtimi i pasagjerëve, shitjet në sektorin e ushqimit dhe shërbimeve premium.
Megjithatë, kostot operative të rregulluara u rritën me 6,5%, kryesisht për shkak të rritjes së pagave, kontributeve të sigurimeve shoqërore, investimeve në IT dhe shtimit të pasagjerëve që kërkojnë asistencë.

