“1 në 3 biznese paguan ryshfet”/ Teliti: Lejet e ndërtimit po jepen përmes lidhjeve, jo ligjit

Dorjan Teliti ka ngritur shqetësime për nivelin e korrupsionit në sektorin e ndërtimit dhe ndikimin e tij në ekonomi, duke iu referuar edhe një ankete të Bankës Botërore.

Sipas tij, rreth 28% e bizneseve në Shqipëri raportojnë se u është kërkuar ryshfet për të marrë leje ndërtimi, një shifër që, sipas të dhënave të përmendura, është më e lartë se mesatarja e rajonit dhe është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Ai ka përmendur gjithashtu se një pjesë e bizneseve përballen me kërkesa për ryshfet edhe në marrëdhënie me administratën tatimore.

Teliti shprehet se këto raste nuk janë të izoluara, por tregojnë për një sistem ku proceset nuk bazohen gjithmonë në rregulla të barabarta, duke ndikuar në konkurrencën e tregut dhe zhvillimin ekonomik.

Sipas tij, kjo situatë po e bën më të vështirë aksesin në sektorin e ndërtimit dhe po ndikon në deformimin e ekonomisë, ndërsa bizneset e ndershme përballen me pengesa shtesë.