“Ndërhyrja ime nuk ishte për non-gratën” - Berisha rrëfen prapaskenën e rikthimit në krye të PD-së
Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një “narko-diktaturë autokratike” e cila, sipas tij, bazohet në farsë elektorale dhe shtypje të pluralizmit.
Nga foltorja e selisë blu, Berisha deklaroi se ekzistonte një plan për ta shndërruar Partinë Demokratike në një “fasadë” dhe aleate në bashkëqeverisje me pushtetin aktual.
Sipas tij, ky projekt madhor i qeverisë synonte të asgjësonte opozitën e vërtetë.
“Objektivi ishte shndërrimi i Partisë Demokratike në fasadë të saj, në aleaten bashkëqeverisje,” pohoi ai, duke shtuar se ndërhyrja e tij ishte vendimtare për të parandaluar këtë skenar.
Berisha hodhi poshtë me forcë pretendimet se rikthimi i tij në krye të lëvizjes brenda Partisë Demokratike ishte i lidhur me shpalljen e tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Nuk është e vërtetë kurrë që unë ndërhyra kur u shpalla non grata. Jo. Nuk më shërbente,” theksoi ai. Motivi i vërtetë i ndërhyrjes së tij, siç shpjegoi, ishte momenti kur “pashë duart e zeza të kontrollonin partinë e demokratëve”.
Ai u shpreh se së bashku me anëtarët e partisë, arritën ta “shpëtonin” atë dhe ta rikthenin në “genet e saj” si një forcë e vërtetë opozitare, e bazuar në parimet e themelimit.
Duke folur për proceset zgjedhore, Berisha i cilësoi zgjedhjet e vitit 2021 si një “farsë”. Ai kritikoi ish-drejtuesit e partisë, duke thënë se shqetësimi i tyre nuk ishte farsa zgjedhore, por “se si të bënin koalicion me Edi Ramën”.
Në vijim, ai shtoi se Partia Demokratike më pas arriti “ta gozhdojë Edi Ramën si armik të votës së lirë” dhe të mbrojë votën e qytetarëve. Kjo, sipas tij, u konfirmua edhe nga institucione prestigjioze ndërkombëtare, të cilat i vlerësuan zgjedhjet në Shqipëri si të zhvilluara “në kushtet e partisë-shtet”.

