“I burgosur politik, pa prova” - Balliu bllokohet në dyert e burgut: Duan të fshehin atë që po i ndodh Ilir Metës dhe kushtet skandaloze

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu bëri me dije se është penguar të ushtrojë të drejtën e tij ligjore për të inspektuar ambientet e një prej institucioneve të vuajtjes së dënimit, konkretisht Burgut 313-të aty ku prej afro dy vitesh gjendet i izoluar ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Nga jashtë dyerve të burgut, ai akuzoi autoritetet se po veprojnë me një "urdhër politik" për të fshehur presionin që ushtrohet ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, si dhe kushtet të cilat i cilësoi si "skandaloze".

Sipas Balliut, moslejimi i hyrjes është një përpjekje për të fshehur "akte kriminale" që lidhen me përkeqësimin e kushteve në burg. Ai theksoi se ligji i jep të drejtën e plotë për të kryer detyrën e tij dhe se ky bllokim tregon një dështim të funksionimit të shtetit ligjor.

“Këtu nuk ka as ligj, as shtet” deklaroi ai, duke shtuar se ka kryer inspektime të ngjashme në burgje të tjera pa hasur asnjë pengesë.

Deputeti e lidhi drejtpërdrejt incidentin me burgosjen e Ilir Metës, të cilin e përshkroi si "të burgosur politik, pa prova, pa fakte, pa asgjë".

Sipas tij, autoritetet po përpiqen të mbajnë të fshehura kushtet skandaloze të burgut të sigurisë së lartë, për të cilin vuri në dukje se në mënyrë të pazakontë është i rrethuar nga pallate banimi.

Në dëshminë e tij, ligjvënësi tregoi përpjekjet për të zgjidhur situatën, duke përfshirë kontaktin me Ministren e Drejtësisë, e cila i kishte premtuar se do të interesohej, por pa dhënë rezultat.

Klevis Balliu shtoi se drejtori i burgut i kërkoi një autorizim nga Kryetari i Kuvendit, një kërkesë që ai e quajti absurde. Edhe pas komunikimit me kreun e Kuvendit, ai u referua sërish te Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, çka e bindi atë se bllokimi ishte thjesht një "urdhër politik".

Në mbyllje, deputeti ripërsëriti se qëllimi i vetëm i vizitës së tij ishte përmbushja e detyrës funksionale për të inspektuar kushtet e burgut dhe të të burgosurve, duke e cilësuar gjendjen e godinës si "skandal, skandal, skandal".

Incidenti ngre pyetje serioze mbi transparencën e sistemit të burgjeve dhe respektimin e rolit të parlamentarëve në mbikëqyrjen e institucioneve shtetërore.