Diktatori si rrëzohet? Berisha flet për kryengritje të armatosur: Por nuk jemi parti e marrjes së pushtetit me dh*në

Lideri historik i Partisë Demokratike hodhi poshtë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në kushtet aktuale, duke i cilësuar ato si të pamundura në një diktaturë. Sipas tij, zotimi kryesor mbetet mbrojtja e votës, por theksoi se "diktaturat nuk bëjnë zgjedhje".

Ata që besojnë se mund të ketë një proces zgjedhor në një regjim diktatorial, sipas Berishës, “mashtrojnë vetveten dhe bëjnë lojën e diktatorit”. Rruga e vetme për qytetarët që duan zgjedhje të lira është përmbysja e diktatorit.

I pyetur se si mund të arrihet rrëzimi i tij, ish-kryeministri sqaroi se kjo bëhet përmes lëvizjeve të fuqishme dhe kryengritjeve paqësore.

Ai u distancua qartë nga dhuna si mjet për marrjen e pushtetit, duke theksuar se partia e tij nuk i përket kësaj filozofie. Sipas tij, kryengritjet e armatosura, siç janë guerilat, u përkasin "ekstremistëve të majtë" dhe nuk kanë sjellë kurrë demokraci, por vetëm kanë zëvendësuar një diktator me një tjetër, duke sjellë më shumë dhunë.

Në mbyllje, ai rikonfirmoi se forca e tij politike i përmbahet parimeve themeluese si një parti e vlerave, e cila beson se pushteti legjitim duhet të burojë vetëm nga vota e lirë e qytetarëve.

FJALA E BERISHËS

Berisha: Dhe në qoftë se të kujtohet, kthehu pak tek frazeologjia ime, zotimi im ka qenë mbrojtja e votës. Mbrojtja e votës. Diktaturat s'bëjnë zgjedhje. Edhe njëherë, diktaturat nuk bëjnë zgjedhje.

Ata që duan zgjedhje duhet të përmbysin diktatorin. Ata të cilët besojnë se mund të ketë zgjedhje në diktaturë, ata mashtrojnë vetveten e tyre dhe bëjnë lojën e diktatorit.

Si rrëzohet diktatori?

Berisha: Diktatori rrëzohet me lëvizje të fuqishme, me kryengritje të armatosur, me kryengritje paqësore, me kryengritje paqësore, edhe të armatosur për ata që janë ekstremistë të majtë, ata i kanë guerile e të tjera, ne nuk jemi parti e marrjes së pushtetit me dhunë. Jo. Sepse ajo, ikën një diktator dhe sjell një diktator tjetër.

Nuk kanë sjellë rrëzimet me guerila dhe me kështu, nuk kanë sjellë ndonjëherë demokraci, kanë sjellë në tërësi dhunë. Kështu që ne i përmbahemi atyre parimeve mbi të cilat jemi themeluar. Parti e vlerave, parti që besojmë se pushteti duhet të burojë nga vota e lirë. Faleminderit.