FOTO+VIDEO/ Ambasadorja amerikane në Athinë rikthehet në Tiranë, Rama e pret me përqafim te Kryeministria
Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle është pritur nga Kryeministri Edi Rama në Kryeministri. Bëhet me dije se Guilfoyle do të jetë e pranishme në firmosjen e një marrëveshje në sektorin e energjisë mes Ministrisë se Infrastrukturës dhe një kompanie amerikane.
Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle ka reaguar për takimin e zhvilluar ditën e sotme me kryeministrin Edi Rama.
Në një postim në “X”, ajo shprehet se ka marrë në pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshje historike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Sipas saj, ky angazhim prej 6 miliardë dollarësh forcon sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare në të gjithë rajonin.
Gjithashtu ambasadorja thekson se kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, rajoni është më i bashkuar dhe më i sigurtë.
“Isha e nderuar të udhëtoja në Tiranë për të avancuar agjendën energjetike të Presidentit të SHBA dhe për t’iu bashkuar Kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike midis Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA për një marrëveshje 20-vjeçare për LNG-në amerikane.
Ky angazhim prej 6 miliardë dollarësh forcon sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare në të gjithë rajonin. Ne jemi krenarë të ndërtojmë mbi punën e shkëlqyer të Secretary Burgum, Secretary Wright dhe Këshillit Kombëtar për Dominimin Energjetik. Kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon është më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë”, thuhet në postimin e ambasadores.
I was honored to travel to Tirana to advance @POTUS’ energy agenda and join PM @ediramaal to participate in a signing ceremony of a historic deal between Albania, Venture Global and Aktor LNG USA on a 20-year U.S. LNG agreement. This $6B commitment strengthens energy security—and…
— Ambassador Kimberly Guilfoyle (@USAmbassadorGR) April 28, 2026
MARRËVESHJA ME “AKTOR”
Kujtojmë se mbrëmjen e 12 marsit ambasadorja e SHBA në Athinë u shfaq në mënyrë misterioze para Kryeministrisë snë Tiranë, ku zhvilloi një takim me Edi Ramën.

Kreu i qeverisë shqiptare i pyetur nga mediat lidhur me këtë takim, tha se biseda ishte përqendruar te interesat amerikane në rajon.
“Ambasadorja erdhi për të bërë një takim njohjeje, për të diskutuar disa çështje të interesit të lartë amerikan në rajon, që kanë të bëjnë me energjinë, bashkëpunimin rajonal dhe qasjen ndaj forcave të treta. Ambasadorja e SHBA në Athinë është një përfaqësuese e njohur në politikën amerikane”, tha Rama, gjatë një konference për shtyp.

Ndërkohë një javë më vonë, media e njohur greke Kathimerini do të hidhte dritë mbi një investim greko-amerikan në fushën e minierave që mund të bëhet në vendin tonë, konkretisht në Bilisht.
Grupi i biznesit AKTOR, ka njoftuar zyrtarisht hyrjen në sektorin minerar të Shqipërisë.

“Marrëveshja kuadër e nënshkruar me BNI Foundation ka të bëjë me bashkëpunimin ekskluziv për kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare kritike në vendin fqinj, konkretisht të nikelit dhe kobaltit. Burime shpjegojnë se ky zhvillim vendos de facto një kompani greke në qendër të përpjekjeve evropiane dhe amerikane për sigurimin e lëndëve të para kritike, veçanërisht atyre të nevojshme për prodhimin e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike”, njoftonte Kathimerini.
Marrëveshja parashikon krijimin e një kompanie të re të përbashkët (Joint Venture) sipas legjislacionit shqiptar. Në këtë kompani, grupi AKTOR do të marrë pjesë përmes filialit të tij të sapokrijuar, AKTOR Metal, me 51%, ndërsa BNI Foundation do të zotërojë 49% përmes filialeve të saj. BNI Foundation është pjesë e një organizate më të gjerë me aktivitet të diversifikuar në fusha si energjia, shëndetësia dhe turizmi në Evropën Juglindore. Ajo do të kontribuojë në këtë bashkëpunim me të drejtat e shfrytëzimit dhe licencat që tashmë zotëron për projektet përkatëse minerare.

“Vlera e investimit, në fazën e zhvillimit të plotë, vlerësohet të arrijë në 1 miliard euro. Me rëndësi të veçantë konsiderohet fakti që financimi do të mbështetet në një masë të madhe në kapital amerikan, ndërsa projekti do të ketë mbështetje teknike dhe këshilluese nga kompani me seli në SHBA. Kjo përfshirje e faktorëve amerikanë nënvizon rëndësinë e projektit për zinxhirin furnizues perëndimor dhe shpjegon edhe përfshirjen e AKTOR-it, i cili tashmë ka zhvilluar marrëdhënie tregtare me kompani dhe institucione amerikane, për shembull në tregtinë e gazit natyror të lëngshëm amerikan. Interesi investues i kësaj sipërmarrjeje greko-amerikane fokusohet në zonën e Bilishtit në Shqipëri”, raportoi më 20 mars “Kathimerini”.
Sipas Kathimerinit njoftimi i marrëveshjes mes AKTOR dhe kompanisë amerikane lidhet me vizitën e disa ditëve më parë në Tiranë të drejtuesit të grupit AKTOR, Aleksandros Eksarhos, së bashku me ambasadoren amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, gjatë së cilës ata u takuan me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

