Kafazi i xhamit për Metën ndez debatin, Kikia: Një shfaqje për ta degraduar publikisht

Paraqitja në gjykatë e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Ilir Meta ka ndezur një debat të fortë publik, jo vetëm për akuzat që rëndojnë mbi të, por veçanërisht për mënyrën e trajtimit të tij gjatë seancës.

Mbajtja e tij në një kafaz të mbyllur xhami është konsideruar nga analisti dhe gazetari Mentor Kikia si një akt i panevojshëm dhe një shfaqje me synim degradimin publik të figurës së tij politike.

Duke analizuar çështjen në një intervoistë për “Ora Neës, Kikia thekson se procesi ndaj Metës, ashtu si ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë, ka marrë një peshë të rëndë politike që shkon përtej aspektit juridik.

Ndërsa mbështet pa kompromis dënimin maksimal të parashikuar nga ligji nëse vërtetohet fajësia, ai kritikon ashpër masat e marra gjatë seancës gjyqësore.

Pika qendrore e kritikës së Kikiajt është vendosja e zotit Meta brenda një strukture të blinduar, e përshkruar si "kafaz transparent". Sipas analistit, një masë e tillë sigurie është tërësisht e pajustifikuar.

Ai argumenton se këto kafaze, të ndërtuara me material plastik tejet rezistent, të aftë t'i bëjnë ballë edhe breshërive të armëve, janë projektuar për persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ato përdoren për anëtarë të botës së krimit, të cilët mund të përbëjnë kërcënim fizik në sallën e gjyqit ose mund të jenë vetë objektiv i ndonjë atentati.

“Zoti Meta nuk është një njeri i rrezikshëm për jetën e ndokujt në atë sallë”, thuhet në analizë, duke e quajtur masën "absolutisht të panevojshme". Për të përforcuar këtë argument, Kikia solli një paralele historike me gjyqet e zhvilluara në vitet '90 ndaj ish-nomenklaturës së lartë komuniste. Pavarësisht se ishin të implikuar në krime masive, ata uleshin në stolat e të akuzuarve si çdo qytetar tjetër, pa masa të tilla ekstreme sigurie.

Në këtë këndvështrim, trajtimi i rezervuar për Metën interpretohet si një veprim i qëllimshëm përtej nevojave procedurale. Mënyra e arrestimit dhe shfaqja në kafaz shihen si pjesë e një përpjekjeje për "ta bërë shembull" dhe për të shkaktuar një degradim publik të figurës së tij.

Kikia tha se në pamjet e djeshme vërehet edhe gjendja e rënduar fizike e Metës gjatë seancës, i cili përshkruhet si një njeri "që kishte humbur krejt ngjyrën", çka shton një tjetër dimension dramatik në të gjithë ngjarjen.

Debati mbetet i hapur nëse ky trajtim ishte një masë standarde sigurie apo një mesazh i koduar politik.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME GAZETARIN MENTOR KIKIA