"'Idiotët' e RMV"/ Nesho: Takimi për ‘pajtim’ që nuk bindi askënd, e bëri situatën më qesharake
Në një lidhje direkte për Ora News, ish-ambasadori Agim Nesho komentoi polemikën e fundit që lidhet me një deklaratë ofenduese nga një zyrtar i lartë dhe mënyrën si u menaxhua situata nga qeveria.
Sipas tij, përpjekja për të zbutur reagimet jo vetëm që nuk funksionoi, por e përkeqësoi më tej krizën. Ai e sheh këtë si një model të përsëritur sjelljeje në raport me publikun dhe partnerët.
“Në vend që të rregullohej, situata u bë më e rëndë dhe madje qesharake në mënyrën si u trajtua.”-tha ai.
Nesho solli në vëmendje se në vende me standarde të konsoliduara demokratike, deklarata të tilla zakonisht pasohet me përgjegjësi politike të menjëhershme. Ai përmendi raste ndërkombëtare ku figura të larta kanë dhënë dorëheqje për deklarata publike, duke nënvizuar diferencën në kulturën e përgjegjësisë.
Ai u ndal edhe te tentativa për ta “mbyllur” çështjen përmes një takimi me përfaqësues politikë nga Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar si të pasuksesshme dhe pa ndikim real në opinion.
“E tentuan ta arnonin, por në fakt e grisën fare, sepse nuk solli asnjë normalizim të situatës.”- u shpreh Nesho.
Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te deklarata fillestare, por te mënyra si u trajtua më pas, duke lënë përshtypjen e mungesës së reflektimit dhe seriozitetit institucional.
Ai e cilësoi ngjarjen si një moment që kërkonte reagim të shpejtë dhe të qartë, ndërsa zgjidhjet e vonuara dhe të paqarta vetëm sa e thelluan krizën në sytë e publikut.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

