Nesër në GJKKO/ A do e shtyjë Erion Veliaj dhe Plarent Ndreca seancën gjyqësore?

Ditën e hënë, 27 prill, në orën 12:00 është caktuar të zhvillohet seanca gjyqësore e radhës në Gjykatën e Posaçme ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Kjo është një nga shumë seancat që po shtyhen prej më shumë se 9 muajsh, si përpjekje për t’iu shmangur drejtësisë.

Ndërkohë, një ditë më parë, në mediat e paguara nga Inceneratorët, Dosja ‘5D’ apo edhe vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, ka dalë lajmi se Veliaj ka kryer një ndërhyrje në një spital privat në Tiranë dhe më pas është transferuar në qeli.

E gjitha ndodh ekzaktësisht 48 orë para seancës gjyqësore të ditës së hënë. Në fakt, ndërhyrja ka ndodhur ditën e mërkurë dhe Veliaj thjesht ka hequr lythat, që është më tepër një ndërhyrje estetike sesa e lidhur me ndonjë problematikë shëndetësore. Veliaj është marrë ditën e mërkurë dhe ka përfunduar ndërhyrjen brenda një ore.

Lajmi nuk jepet as ditën e mërkurë dhe as të premten, por pikërisht të shtunën, dy ditë para seancës dhe sipas të dhënave të siguruara nga CNA, e dirigjuar nga avokatët mbrojtës dhe studiot ligjore të kryebashkiakut të Tiranës dhe propaganda mediatike e vëllait të tij.

Halli i Veliajt për kryerjen e kësaj ndërhyrjeje për lythat, para datës së seancës gjyqësore, është shtyrja e seancave, pasi sipas ligjit, brenda dy viteve atij duhet t’i përfundojë gjykimi në Shkallën e Parë.

Synimi i Veliajt është shtyrja e gjyqeve për të kapur këtë afat dhe për të dalë me një masë tjetër sigurie, asaj të “arrestit në shtëpi”, duke zgjedhur kështu që të mos përballet me drejtësinë, por së pari të dalë nga qelia dhe më pas bëjë betejën ligjore.

Fakti ka treguar se me akuzat ndaj tij, Veliaj ndodhet që prej 24 korrikut të vitit të shkuar në GJKKO, ndërkohë që ai nuk paraqitet, por thjesht shtyn seancat, përmes skemave të tij, të avokatëve dhe studiove ligjore që përdor./CNA