“Çyrykët” dhe kooperativat europiane/ Rama shtyn fermerët drejt bashkimit për të ulur kostot dhe rritur fitimet

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë një takimi me fermerë, ku është ndalur te nevoja për bashkimin e prodhuesve dhe rritjen e efikasitetit në bujqësi.

Ai ka rikthyer një shprehje të përdorur më herët ndaj opozitës, duke e lidhur me debatin për organizimin e fermerëve dhe kritikat ndaj mënyrës së bashkëpunimit në sektorin bujqësor.

Sipas tij, fermerët duhet të bashkohen për të ulur kostot dhe për të qenë më konkurrues në tregun europian, ku prodhimi i fragmentuar e bën të vështirë shitjen dhe rritjen e fitimit.

Ai ka krahasuar modelin e bashkimit të fermerëve me kooperativat moderne të Bashkimit Europian, ku prodhimi bëhet individualisht, por tregtimi realizohet i përbashkët.

Gjatë diskutimit janë ngritur edhe shqetësime për financimin, sigurinë ushqimore dhe kostot e analizave të produkteve, për të cilat kryeministri ka prezantuar një program të ri mbështetjeje me kredi të buta, të garantuara nga shteti dhe në bashkëpunim me bankat.

Programi pritet të quhet “Dyfisho ndërmarrjen tënde” dhe synon zgjerimin e fermave dhe rritjen e prodhimit.

Në takim nuk kanë munguar as batutat e kryeministrit gjatë bashkëbisedimit me fermerët.