“Në Shqipëri krizat qeverisin vendin"/ Teliti për rritjen e çmimeve: Bizneset vuajnë, nuk po bëhet asgjë veç vëzhgimit
Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, ka reaguar në rrjetet sociale duke kritikuar qeverinë për mënyrën si po menaxhon situatat ekonomike në vend.
Sipas tij, ndryshe nga vendet e tjera ku qeveritë ndërhyjnë për të zgjidhur krizat, në Shqipëri situata është e kundërt, pasi krizat janë ato që, sipas tij, po ndikojnë në mënyrën e qeverisjes së vendit.
Teliti përmend disa problematika si vështirësitë në transport, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave, rritja e kostove për bizneset, si dhe rastet e abuzimeve me fondet publike, duke theksuar se për këto çështje mungon një reagim efektiv.
Ai shprehet gjithashtu se qytetarët po përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike, ndërsa sipas tij, qeveria kufizohet vetëm në monitorimin e situatës pa ndërhyrë me masa konkrete.
Në reagimin e tij, Teliti kritikon atë që e quan mungesë veprimi nga institucionet, duke shtuar se kjo situatë po rëndon mbi ekonominë dhe qytetarët.

