“Lidership i konsumuar dhe i shkëputur nga realiteti”/ Salianji-Berishës: Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq

Ervin Salianji ka reaguar me një postim të fortë ndaj Sali Berishës, duke e akuzuar për mënyrën e drejtimit të Partisë Demokratike dhe për konfliktet e brendshme në parti.

Sipas tij, problemet në opozitë nuk lidhen me demokratët që kërkojnë fitore, por me një pjesë të lidershipit që, sipas tij, ka humbur kontaktin me realitetin dhe besimin e njerëzve.

Salianji shkruan se nuk është pjesë e asnjë pazari politik dhe se gjithmonë ka qenë përballë pushtetit, duke shtuar se ka paguar edhe çmim personal për qëndrimet e tij.

Ai ka akuzuar gjithashtu për lidhje dhe marrëveshje të ndryshme politike dhe ekonomike mes aktorëve të ndryshëm, duke përmendur edhe çështje që lidhen me leje ndërtimi dhe përfitime në disa zona të vendit.

Në fund të reagimit, Salianji e sfidon Berishën që të hyjë në garë të hapur politike dhe të mos shmangë përballjen, duke e konsideruar situatën aktuale në opozitë si të dështuar dhe të përçarë.

POSTIMI I ISH-DEPUTETIT ERVIN SALIANJI:

Përgjigje Sali kolltukut; 36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij.
Nuk ka asgjë më të vjetër në politikë sesa kur dikush që ka humbur lidhjen me realitetin përpiqet të shpikë armiq për të fshehur frikën nga gara.
Të më krahasosh me këdo tjetër është mënyra më e lehtë për të shmangur thelbin: sot problemi nuk janë demokratët që duan fitore, por fakti që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe.
Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Dhe për këtë kam paguar çmim personal.
Ata që sot flasin për “fate” të të tjerëve duhet të shohin fatin e tyre politik: një lidership që nuk frymëzon më, që nuk fiton më dhe që i shmanget çdo përballjeje reale.
Kur nuk ke përgjigje për dështimin, shpik histori.
Kur nuk ke mbështetje, sulmon këdo që ngrihet.
Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri.
Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim.
Lulzim Bashën e solle e mbajte dhe ta fali partinë. Me mua i ke bërë hesapet gabim: do të çmontoj ty dhe autokratin e qeverisë. Regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët! Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak.