Ministri Hoxha i quajti idiotë shqiptarët, Berisha: U soll si një nacionalist i verbër serb

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha duhet të japë dorëheqjen pasi atij iu publikua një mesazh në WhatsApp, ku iu referohej shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si ‘idiotë’.

Kryedemokrati tha gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit se ministri ka vepruar si një nacionalist i verbër serb dhe maqedonas dhe se ai duhet të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen dhe jo të përpiqej ta fshihte.

Ky etiketim ndaj shqiptarëve të RMV-së, tha Berisha, u bë për shkak se ata nuk kanë mbrojtur kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si ‘kryeministrin më të mirë për serbët pas Nikolla Pashiq.

Berisha: Kjo është deklaratë kriminale, antishqiptare e turpshme për një gangster që ka humbur çdo integritet, çdo element të ndërgjegjes kombëtare dhe tejkalon, barazohet me ultra nacionalistët më të verbër maqedonas dhe serbë. Dorëheqja e tij urgjente është akti i domosdoshëm. Ky etiketim që iu bëri dhe përpjekja e turpshme që bëri për ta fshehur, e përgëzoj zotin Këlliçi, i cili zbuloi një akt të tillë kriminal, të pashembullt.

Të quash idiotë shqiptarët e RMV se nuk mbrojnë Pashiqin, kryeministrin më të mirë të serbëve pas Pashiqit, Edi Ramën, do të thotë se je tradhtar më keq se ai. Gjuhë gangsteri dhe vagabondi për të cilën duhet të japë dorëheqjen dhe jo të fshihet se nuk është thënë. I nxorri mesazhet e ambasadorit. Shiko çfarë gangsteri e drejton politikën e jashtme. Akt i padëgjuar ndonjëherë se nuk mbrojtën ata Edi Ramën.

Pas denoncimit nga deputeti i PD, ka reaguar Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi, i cili në emër të Hoxhës deklaron se ky mesazh nuk është i vërtetë. Sipas reagimit, komunikimi i shpërndarë nga deputeti nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

Kujtojmë se pas denoncimit nga deputeti, Belind Këllici, zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme Alteo Hysi tha se: Shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend. Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme.