“Dyfishim fondesh për bujqësinë”/Salla deklaoron mbështetje për fermerët me teknologji dhe grante

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi këtë të shtunë një takim me fermerët në Dibër, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, ku prezantoi masat e reja për rritjen e investimeve në bujqësi, modernizimin e sektorit dhe arritjen e standardeve të kërkuara për tregun e Bashkimit Evropian.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, ministri Salla theksoi se në qarkun e Dibrës është duke u zbatuar modeli i bashkimit të fermerëve përmes strukturave të përbashkëta të bashkëpunimit bujqësor (SHBB), veçanërisht në sektorin e fruta-perimeve.
Ai bëri të ditur se ky projekt mbështetet nga Ministria e Bujqësisë dhe nga Banka Botërore, teksa tashmë janë lidhur kontrata me subjekte që grumbullojnë dhe tregtojnë prodhimet përmes këtyre strukturave.
Salla u ndal edhe te përdorimi i teknologjisë në bujqësi, duke theksuar se në Dibër po zbatohet një model pilot me sensorë inteligjentë që monitorojnë sipërfaqet bujqësore në kohë reale.ministit të bujqësisë , këta sensorë japin informacion për vaditjen, spërkatjen, plehërimin dhe kushtet atmosferike, ndërsa synohet që deri në muajin korrik ky sistem të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke u ofruar fermerëve akses në të dhëna përmes telefonit ose aplikacioneve digjitale.
Ministri gjatë fjalës së tij, u ndal tek risitë e skemës kombëtare të mbështetjes për bujqësinë, duke bërë të ditur se buxheti për të është dyfishuar dhe përfshin mbështetje për një gamë të gjerë sektorësh.
Ai u ndal tek subvencionet për kultivimin e ullirit dhe qershisë, si dhe mbështetjen për pajisje të ndryshme që lidhen me procesin e prodhimit dhe përpunimit, duke përfshirë rrjetat, pajisjet e vjeljes dhe mjetet e ruajtjes.
Në sektorin e bletarisë, Salla tha se subvencioni për koshere është dyfishuar nga 10 mijë lekë në 20 mijë lekë, ndërsa mbështetja përfshin edhe pajisje si centrifuga për përpunimin e mjaltit, tanket e ruajtjes dhe materialet e ambalazhimit, me synimin për të garantuar sigurinë ushqimore dhe rritjen e cilësisë së prodhimit.
Ministri theksoi se mbështetja do përfshijë dhe blegtorinë, duke ulur pragun minimal të përfitimit nga 100 në 50 krerë, si dhe duke rritur subvencionet për bagëtitë.
Ai informoi gjithashtu për mbështetjen për ndërtimin e staneve me një buxhet deri në 30 mijë euro, të pajisur me sisteme sigurie, panele diellore dhe kontejnerë të lëvizshëm për ruajtjen e produkteve dhe sigurimin e kushteve optimale për kafshët.
Gjatë fjalëes së tij, Salla u ndal dhe tek granti deri në 10 mijë euro për të rinjtë që duan të investojnë në bujqësi, me qëllim kryesor nxitjen e sipërmarrjes së re në zonat rurale.
Ai bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë mbështetur rreth 440 aplikime në sektorë të ndryshëm, përfshirë mekanizimin bujqësor dhe agroturizmin, ndërsa këtë vit fondi i përgjithshëm arrin në 52 milionë euro.
Salla u ndal gjithashtu rëndësinë e formalizimit të shitjeve përmes faturimit, duke nënvizuar se fermerët do të përfitojnë kompensim financiar në bazë të sipërfaqes së punuar dhe të produkteve të tregtuara, proces që ka nisur nga 1 janari dhe do të vijojë deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Ministri vuri theksin tek ngritja e mëtejshme e strukturave të përbashkëta të fermerëve dhe modernizimi i prodhimit për të ndihmuar në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga tregu i Bashkimit Evropian.
