"Një firmë sot shpëton një jetë nesër" - Fushatë për financimin e trajtimit të fëmijëve

Nga qyteti i Korçës, aktivistë të shoqërisë civile dhe juristë kanë ndërmarrë nismën për mbështetjen shtetërore të trajtimeve mjekësore për fëmijët që nuk mund të kurohen në sistemin publik. Nisma do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, me synimin për të siguruar mbështetjen e nevojshme qytetare dhe për ta çuar projektligjin për shqyrtim në Kuvend.

Nisma për mbështetjen shtetërore të trajtimeve mjekësore për fëmijët që nuk mund të kurohen në sistemin publik, ka nisur zyrtarisht nga qyteti i Korçës.

Synimi kryesor është krijimi i një mekanizmi ligjor që do t’i japë fund praktikave të deritanishme, ku familjet detyrohen të kërkojnë ndihmë financiare përmes bamirësisë për të shpëtuar jetën e fëmijëve të tyre. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe juristë kanë ndërmarrë një maratonë për mbledhjen e 20 mijë firmave, të nevojshme për ta çuar projektligjin në Parlament.

Sipas përfaqësuesit të shoqërisë civile në Korçë, Ardit Konomi, kjo nismë synon që shteti të marrë përsipër mbulimin financiar të trajtimeve të specializuara për fëmijët, qoftë brenda apo jashtë vendit.

Sipas tij, projektligji është hartuar në mënyrë të tillë që të shmangë burokracitë dhe të ofrojë zgjidhje konkrete për një problem të kahershëm.

Avokatja Evis Miço e cilëson projektligjin si një hap të rëndësishëm për plotësimin e legjislacionit aktual. Sipas saj, fokusi kryesor është garantimi i kujdesit shëndetësor për fëmijët e sëmurë, të cilët aktualisht nuk marrin trajtimin e nevojshëm në sistemin publik.

Nisma e iniciuar në Korçë, do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, duke vijuar me shpërndarjen e formularëve në qytete të ndryshme të vendit, me synimin për të siguruar mbështetjen e nevojshme qytetare dhe për ta çuar projektligjin për shqyrtim në Kuvend.