Ushtria e Malit: Grupe të armatosura nisin sulme të koordinuara në të gjithë vendin

Ushtria e Malit njofton se grupe të armatosura kanë ndërmarrë sulme të koordinuara në disa pjesë të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin, Bamako.

Në një deklaratë të publikuar të shtunën në mëngjes, ushtria bëri të ditur se “luftimet janë ende në zhvillim”, duke shtuar se “forcat tona të mbrojtjes dhe sigurisë janë të angazhuara në zmbrapsjen e sulmuesve”.

Dëshmitarë okularë i thanë agjencisë Reuters se në orët e para të mëngjesit janë dëgjuar shpërthime dhe të shtëna pranë bazës ushtarake në Kati, një nga bazat më të mëdha pranë kryeqytetit. Në zonë janë dislokuar trupa ushtarake dhe disa rrugë janë bllokuar.

Raportime për sulme ka edhe në qytetin Gao, në lindje të vendit, si dhe në Sevare, në pjesën qendrore të Malit.

Një banor, i cili po kthehej në Bamako nga Etiopia, i tha BBC-së se të gjitha fluturimet drejt kryeqytetit u anuluan herët të shtunën. Ende nuk është e qartë nëse sulmet kanë prekur drejtpërdrejt aeroportin.

Autorët e sulmeve mbeten të paidentifikuar.

Ambasada e SHBA-së në Mali u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të qëndrojnë të strehuar dhe të shmangin lëvizjet, duke përmendur shpërthime dhe të shtëna pranë Aeroportit Ndërkombëtar Modibo Keita në Bamako dhe në zonën e Kati-t.

Aktualisht, Mali drejtohet nga një juntë ushtarake e udhëhequr nga Gjenerali Assimi Goïta, i cili mori pushtetin pas një grushti shteti në vitin 2020, me premtimin për të rikthyer sigurinë dhe për të luftuar grupet e armatosura.

Fillimisht, junta gëzoi mbështetje popullore, pasi premtoi se do të zgjidhte krizën e gjatë të sigurisë, të nisur nga rebelimi separatist i Tuaregëve në veri, i cili më pas u shfrytëzua nga grupe të tjera militante.

Në vitin 2013, forcat paqeruajtëse të OKB-së dhe ushtria franceze u vendosën në Mali për të përballuar përshkallëzimin e konfliktit. Megjithatë, të dyja janë tërhequr pas marrjes së pushtetit nga junta, ndërsa qeveria ushtarake ka angazhuar mercenarë rusë për të përballuar situatën e sigurisë.

Pavarësisht kësaj, kryengritja vazhdon dhe zona të gjera në veri dhe lindje të vendit mbeten jashtë kontrollit të qeverisë.