VIJOJNË B*MBARDIMET NË GAZA/ Mbeten 13 viktima mes tyre gra dhe të mitur

Të paktën 13 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës gjatë së premtes nga bombardimet izraelite, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që prej tetorit 2025.
Sipas Mbrojtjes Civile në Gaza, një nga sulmet ka goditur një automjet policie në zonën al-Mawasi pranë Khan Yunis, ku kanë humbur jetën tetë persona, mes tyre edhe dy policë. Disa të tjerë janë plagosur në këtë incident.
Spitalet lokale kanë konfirmuar viktimat dhe kanë bërë të ditur se mes tyre janë burra, një grua dhe dy fëmijë të vegjël, ndërsa një tjetër fëmijë raportohet i vrarë por ende pa identifikim të plotë.
Një tjetër sulm është regjistruar në Beit Lahia, ku një grua dhe dy fëmijët e saj kanë humbur jetën pas goditjes së një zone banimi. Në qytetin e Gazës, një goditje ndaj një patrulle policie ka shkaktuar edhe dy viktima të tjera.
Ushtria izraelite nuk ka dhënë koment të drejtpërdrejtë për këto ngjarje, por ka bërë të ditur se ka goditur persona që i konsideron të armatosur në veri të Gazës.
Pavarësisht armëpushimit, raportohen ende viktima në terren. Autoritetet në Gaza thonë se qindra palestinezë janë vrarë që nga fillimi i marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa Izraeli raporton gjithashtu humbje në radhët e tij gjatë kësaj periudhe.

