SHBA bllokon 344 milionë dollarë në kriptovaluta të përdorura për shmangien e sanksioneve
Administrata e Donald Trump ka ngrirë rreth 344 milionë dollarë në kriptovaluta që autoritetet amerikane i lidhin me Iran, si pjesë e një fushate për të rritur presionin ekonomik ndaj Teheranit.
Sipas raportimeve të CNN, kjo masë është pjesë e një strategjie më të gjerë sanksionesh, në një kohë kur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve mbeten të bllokuara.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së, përmes zyrtarit Scott Bessent, ka bërë të ditur se janë identifikuar dhe goditur disa portofola dixhitalë të lidhur me Iranin. Ai ka thënë se SHBA do të ndjekë të gjitha rrugët financiare që përdoren për të shmangur sanksionet.
Autoritetet amerikane thonë se institucionet financiare iraniane kanë përdorur gjithnjë e më shumë kriptovalutat për të fshehur transaksionet dhe për të vazhduar tregtinë ndërkombëtare nën kufizime.
Sipas të dhënave të firmës analitike Chainalysis, vlera e kriptomonedhave të lidhura me Iranin ka arritur rreth 7.8 miliardë dollarë në vitin 2025, duke shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.
Raportet tregojnë gjithashtu se struktura të lidhura me Gardat Revolucionare Islamike zotërojnë një pjesë të madhe të këtyre aseteve dixhitale, duke pasur rol të rëndësishëm në përdorimin e kriptovalutave brenda ekonomisë iraniane.

