SHBA “mbyll rubinetin” e miliardave të Iranit përmes Kinës/ Vendos sanksione mbi rrjetin sekret të naftës

 SHBA “mbyll rubinetin” e miliardave të Iranit përmes

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj rafinerisë private kineze “Hengli Group” për shkak të transaksioneve të saj me Iranin, bëri të ditur Departamenti amerikan i Thesarit.

Sipas autoriteteve amerikane, kjo kompani është një nga blerëset më të mëdha të naftës iraniane dhe ka kryer blerje në vlera që arrijnë në miliarda dollarë.

Uashingtoni thotë se rafineritë e vogla dhe të pavarura kineze po luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e tregtisë së naftës së Iranit.

Përveç kompanisë kineze, SHBA ka vendosur sanksione edhe ndaj rreth 40 kompanive të transportit detar dhe anijeve që dyshohet se janë pjesë e një rrjeti që ndihmon Iranin të eksportojë naftë në mënyrë të fshehtë.

Zyrtarët amerikanë thonë se ky rrjet përfshin anije, ndërmjetës dhe blerës që ndihmojnë në shmangien e kufizimeve ekonomike ndaj Teheranit.

Masat përfshijnë bllokimin e aseteve nën juridiksionin amerikan dhe ndalimin e çdo transaksioni me individët dhe kompanitë e përfshira.