Rishikimi i buxhetit, dështon përpjekja për ta shqyrtuar në procedurë të përshpejtuar

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për shmangie nga afati procedural për rishikimin e Ligjit për Buxhetin 2026 në votimin e së shtunës në Kuvend, ka dështuar.

Mocioni për këtë çështje mori 57 vota “për” ndërsa 48 deputetë votuan “kundër”. Mirëpo, para votimit pati debat mes pushtetit dhe partive opozitare.

Përfaqësues të qeverisë dhe shumicës në parlament thanë se rishikimi parasheh pakon mbështetëse për qytetarët që lidhet me inflacionin, e cila kap vlerën prej 200 milionë euro, ndërkaq opozita kundërshtoi procedurat e ngutura.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, theksoi nevojën pse sipas saj, Vetëvendosjes dhe qeverisë, duhet të bëhet kjo shmangie e afateve procedurale për rishikimin e buxhetit.

“Shmangie nga afatet e përcaktuara për shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026. Propozojmë që shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet në datën e sotme. Nevojat e reja financiare dhe veçmas për shkak të situatës aktuale që gjendemi si Kuvend”, tha ajo.

Por, ky propozim nuk u mirëprit nga LDK. Deputeti i kësaj të fundit, Besian Mustafa, tha se rishikimi i buxhetit është çështje e rëndësishme dhe jo një ligj i rëndomtë, andaj, sipas tij, nuk duhet të diskutohet në mënyrë të përshpejtuar dhe me shmangie të procedurave.

“Nuk është një ligj i rëndomtë, por ligj i rëndësisë vitale pasi përcakton buxhetin për të gjitha shpenzimet dhe si i tillë ka procedura mjaft strikte sesi procedohet si ligj apo rishikim. Fatkeqësisht edhe në këtë seancë po kërkohet shmangie nga këto procedura pa e diskutuar në hollësi përmbajtjen e rishikimit të ligjit për buxhet. Si parim dhe mungesë e përcjelljes së procedurave, LDK voton kundër shmangies së procedurave”, shtoi ai.

Kritika për këtë çështje nuk i kurseu as AAK, me anë të shefit të saj në Kuvend, Besnik Tahiri.

“Sot nuk guxojmë të rrezikojmë shtetin duke i fundosur, shkelur secilin rregull që institucioni më i madh ligjvënës e ka. Parlamenti nuk është vend për vendime të rastësishme. Nuk është për improvizime dhe iniciativa çdo ditë jashtë rendit të ditës”, deklaroi ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se shmangia nga procedurat për rishikim të buxhetit prek vetëm Ministrinë e Financave dhe se aty, sipas tij, përfshihet pakoja mbështetëse 200 milionëshe për qytetarët.

“Bëhet fjalë për pakon mbështetëse për përballje me inflacionin që është paralajmëruar në këtë kuvend, pikërisht në seancën ku kishim debatin sesi t’i dilet në mbështetje qytetarëve. Ishte ai debat që nga të gjithë ju kërkohej që qeveria t’iu dalë në mbështetje qytetarëve. Ne e paralajmëruam dhe ja ku e keni sot”, tha ai.

“Pako e tillë në këtë rast përbëhet prej 122 milionë euro shtesë buxhet që sigurohet nga të hyrat shtesë të projektuara bazuar në tatimin në të ardhura. Ndërsa pjesa tjetër e mbështetjes, duke kompletuar pakon prej 200 milionë eurove, sigurohet nga linja ekzistuese e qytetarëve. Kjo pako është emergjente”.

Krahas kësaj, deputetët nuk miratuan shmangien e procedurave as për trajtimin e Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe Projektligjit për energjinë elektrike./Kosovapress