Gjermania ngre nivelin e gatishmërisë detare/ Përgatit dislokim në Mesdhe për mision të mundshëm në Ngushticën e Hormuzit
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka bërë të ditur se Gjermania po planifikon dislokimin e disa njësive detare në Mesdhe, në kuadër të përgatitjeve për një angazhim të mundshëm në Ngushticën e Hormuzit.
Ai ka thënë në një intervistë për gazetën Rheinische Post se planifikohet dërgimi i një anijeje për pastrimin e minave detare dhe një anijeje tjetër komanduese dhe furnizimi, por pa dhënë një datë të saktë të nisjes.
Sipas tij, çdo vendim për dislokimin do të varet nga kushtet në terren, përfshirë një armëpushim të qëndrueshëm, bazën ligjore sipas të drejtës ndërkombëtare dhe miratimin e parlamentit gjerman.
Pistorius ka vënë në dukje edhe rolin e Gjermanisë në operacionet detare të NATO-s, veçanërisht në fushën e çminimit të minave detare.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz ka thënë se Gjermania është e gatshme të marrë pjesë në një mision ndërkombëtar për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, në bashkëpunim me aleatët, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, qëllimi është garantimi i lirisë së lundrimit në këtë zonë strategjike përmes operacioneve të mbikëqyrjes dhe çminimit detar.

