"Ata idi*tët shqiptar atje..."/ Opozita kërkon sqarim për gjuhën fyese të ministrit të Jashtëm Hoxha, ja reagimet nga ministritë

Shefi i diplomacisë shqiptare, Ferit Hoxha, është vënë në qendër të debatit dhe akuzave nga opozita shqiptare dhe jo vetëm.

Shkak u bë publikimi i një bisede të marrë nga një grup WhatsApp, i cili pretendohet se është i ambasadorëve shqiptarë.

Në të shihet shqetësimi i përfaqësuesit të Shqipërisë, Denion Meidani, për një shkrim nga mediat e Shkupit, ndërsa në përgjigje Ferit Hoxha kërkon të dijë reagimet e shqiptarëve atje, duke i etiketuar si “idiotë”.

Ka qenë nënkryetari i grupit të PD-së, Belind Këlliçi, ai që së pari ka publikuar mesazhin e ministrit Hoxha.

“Do të mbajë përgjegjësi Ferit Hoxha për mënyrën si shprehet për shqiptarët?” – është reagimi që shoqëron publikimin, duke ngritur shqetësime për komunikimin në një grup chat të Ministrisë së Jashtme mes titullarit dhe disa funksionarëve të lartë, që sipas tij tregon qëndrimin real të ministrit ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Menjëherë pas kësaj reagoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, i cili u shpreh se pretendime të tilla janë të fabrikuara dhe më pas të amplifikuara nga aktorë politikë në vend, duke shtuar se nuk është hera e parë që hidhen akuza ndaj shërbimit të jashtëm.

Në vazhdën e reagimeve është përfshirë edhe Ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, i cili shprehet i zhgënjyer nga fjalori i përdorur.

Ai kërkon reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa kërkon që ministri Hoxha t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar gjuhën e përdorur si të papranueshme dhe joetike për një përfaqësues shteti.

Ministri Ferit Hoxha është parashikuar të jetë raportues në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar dhe qeverisë socialiste, paraditen e së hënës, në Pallatin e Brigadave, në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në fakt, raportimi ishte parashikuar më herët.