Merz: Anëtarësimi i shpejtë i Ukrainës në BE nuk është i mundur. Kërkohet proces para-anëtarësimi

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se anëtarësimi i menjëhershëm i Ukrainës në Bashkimin Evropian nuk është i mundur në kushtet aktuale. Sipas tij, hapi i radhës duhet të jetë vazhdimi i procesit të para-anëtarësimit.

Ai ka folur edhe për situatën në Lindjen e Mesme, duke thënë se Irani po zvarrit kohën dhe se nevojitet më shumë presion ndërkombëtar ndaj Teheranit.

Megjithatë, ai ka lënë të hapur mundësinë që sanksionet të lehtësohen nëse Irani tregon gatishmëri për kompromis dhe bashkëpunim.

Merz ka përmendur gjithashtu se në Bashkimin Evropian nuk ka kundërshtime për mundësinë e ndryshimit të sanksioneve, në varësi të sjelljes së Iranit, duke e parë këtë si një mënyrë për të ndihmuar procesin diplomatik dhe arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm.

Lidhur me Rusinë, ai ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të rrisë presionin përmes paketave të reja të sanksioneve.

Në fund, ai ka përsëritur qëndrimin se Ukraina nuk mund të bëhet pjesë e BE-së shpejt, duke theksuar se fokusi duhet të jetë tek përparimi gradual i procesit të integrimit.