Netanyahu zbulon se ka kaluar në heshtje kancerin e prostatës: “Tumori u zhduk plotësisht”
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë publik se ka kaluar në heshtje një trajtim për kancer të prostatës, pasi publikoi rezultatet e kontrollit të tij vjetor shëndetësor.
76-vjeçari tha se kishte shtyrë publikimin e raportit mjekësor për rreth dy muaj, me arsyetimin se nuk dëshironte që gjendja e tij shëndetësore të përdorej si propagandë nga Iran.
Sipas deklaratës së tij, gjatë një kontrolli pas një operacioni për zmadhim të prostatës në dhjetor 2024, mjekët zbuluan një tumor malinj më pak se një centimetër. Kryeministria izraelite publikoi gjithashtu dy letra nga mjekët, ku konfirmohet se bëhej fjalë për një zbulim të hershëm, pa metastaza dhe pa përhapje në pjesë të tjera të trupit.
Megjithëse nuk është bërë e ditur data e saktë e diagnostikimit, burime pranë çështjes kanë deklaruar se diagnoza është vendosur disa muaj më parë. Netanyahu iu nënshtrua një terapie të synuar me rrezatim për rreth dy muaj e gjysmë, trajtim që tashmë ka përfunduar.
Në reagimin e tij publik, ai u shpreh se trajtimi ka qenë i suksesshëm dhe se tumori është zhdukur plotësisht.
“Faleminderit Zotit, jam mirë me shëndet. Ishte një problem i vogël mjekësor që u trajtua plotësisht,” deklaroi Netanyahu.
