Promovimi i librit për Lek Gjiknurin bashkon politikën shqiptare/ Nga Ruçi e Meidani te Kryemadhi e Ceka në të njëjtën sallë

Promovimi i librit biografik “Portreti i një shkencëtari Lek Gjiknuri” bëri bashkë politikanë që, jashtë kulturës, konsiderohen edhe kundërshtarë, apo që dikur kanë udhëhequr beteja të përbashkëta.

Senatorët e PS, Gramoz Ruçi dhe Et’hem Ruka, u panë sërish në publik duke shkëmbyer biseda, ndoshta për të majtën, edhe pse janë tashmë larg debatit politik.

Madje, Ruka diskutime këmbeu edhe me ish-presidentin Rexhep Meidani. Nuk mund të mungonte as Namik Dokle, por edhe politikanë të shfaqur më vonë në selinë rozë.

Gratë e forta të PS-së, Arta Dade, Kodheli, por edhe Nikolla e Manastirliu, pasuruan sallën.

Libri bashkoi edhe të larguarit nga e majta, por edhe rebelë të së djathtës. Monika Kryemadhi, dikur themeluese e FRESSH-it, u pa në krah të Musa Ulqinit, edhe pse tashmë ajo është larguar edhe nga LSI.

Ndërsa Neritan Ceka, dikur themelues i PD-së e më pas i PAD-së, ndoqi me vëmendje promovimin e librit.

Surprizë ishte rikthimi i demokratit Shaban Memia në diskursin publik. Ai u vendos në krah të socialistit Stefan Çipa dhe Artan Shkrelit.

Damian Gjiknuri përkujtoi babanë e tij, shkencëtarin Lek Gjiknuri, gjatë promovimit të librit biografik për të.

Po ashtu, ish-presidenti Rexhep Meidani ndau disa kujtime rreth kolegut të tij dhe veprave që ka lënë pas.

Autori Eris Rusi, në prezantimin e librit, solli në vëmendje momente pikante.

Për jetën e të atit, deputeti socialist Damian Gjiknuri ndau me publikun kujtime familjare.

Ish-presidenti Rexhep Meidani theksoi rëndësinë e veprës së profesorit.

Lek Gjiknuri, i lindur në Himarë në vitin 1938, ishte anëtar i Akademisë së Nju Jorkut dhe Parisit për shkencat e natyrës, ku ka dhënë kontribute të çmuara në mbrojtje të mjedisit dhe si biolog i njohur.