Meri Mezini sjell rrëfimin tronditës të 47-vjeçarit që u bë libër: Më për*hunoi fqinji oficer kur isha ...

Inspektorja e burgut Meri Mezini ndau në studion e emisionit “Epiqendër” në “Ora News” një histori e dhimbshme abuzimi seksual, e rrëfyer nga vetë viktima 40 vite pas ngjarjes, është shndërruar në subjektin e romanit më të ri të një autoreje.

Libri, i cili trajton temën delikate të pedofilisë, bazohet në një ngjarje të vërtetë të ndodhur në vitin 1985, ku një fëmijë jetim ra pre e abuzimit nga fqinji i tij, një oficer.

Sipas autores, frymëzimi që personazhi kryesor, sot 47 vjeç, të thyente heshtjen dhe të ndante historinë e tij, erdhi nga një format televiziv. Pasi pa një personazh publik në “Big Brother”, Laert Vasilit, ai ndjeu nevojën të lironte “brengën” që mbante brenda dhe kontaktoi shkrimtaren për të rrëfyer traumën e tij.

Dëshira e tij ishte që zëri i tij të shërbente si inkurajim për të tjerë që kanë kaluar eksperienca të ngjashme dhune.

Ngjarja tronditëse ka ndodhur pranë zonës së njohur si “Varri i Bamit”, ku oficeri përfitoi nga fakti që fëmija ishte pa mbrojtje prindërore për të kryer aktin e abuzimit. Rrëfimi ka qenë aq i dhimbshëm, sa viktima qante teksa e tregonte, duke e bërë procesin e shkrimit një sfidë emocionale edhe për vetë autoren.

Libri nuk ndalet vetëm te kjo histori. Ai gërsheton edhe rrëfime të tjera të vërteta, përfshirë një rast abuzimi brenda familjes, ku një kushëri përdhunon kushërirën e tij 13-vjeçare. Përmes këtyre ngjarjeve, autorja synon të japë një mesazh të fortë për shoqërinë dhe veçanërisht për prindërit. Libri shërben si një thirrje për t'i edukuar fëmijët mbi kufijtë e trupit të tyre dhe për t'u dhënë guximin të thonë “jo”, në mënyrë që të mbrohen nga çdo lloj abuzimi, qoftë brenda apo jashtë mureve të shtëpisë.

Ky është romani i dhjetë për autoren, e cila pohon se tashmë ndihet më e sigurt në rrugën e saj letrare, duke pasur mbështetjen e figurave si redaktorja Diana Çuli. Ajo planifikon të promovojë librin edhe në Greqi, ku do t'ia dhurojë personalisht një kopje burrit, historia e të cilit i dha jetë këtij romani.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”