Dita Botërore e Librit, aktivitete kushtuar leximit në kryeqytet
Te “Tirana Moons”, një prej instalacioneve më të veçanta dhe tërheqëse të kryeqytetit, u mblodhën sot të rritur e fëmijë, në Ditën Botërore të Librit.
Nën moton “Zgjuar. Qyteti që nuk fle, lexon” vizitorët e bibliotekës në natyrë, u bënë pjesë e aktiviteteve të përgatitura me rastin e kësaj veprimtarie mbarëbotërore.
Fëmijët të shoqëruar nga prindërit dëgjuan me kureshtje leximin e librave nga seria “Shoqja ime Koni” për fëmijë mbi 3 vjeç. Më pas ishte radha e takimit me shkrimtarin Ermir Nika dhe e një bisede mes tij dhe lexuesve.
Ndërkohë, në Bibliotekën Kombëtare, në Qendrën “Sotir Kolea” u mbajt masterclass-i “Fjala që krijon”, me “poeten laureate”, Rita Petro në një takim me gjimnazistë të Tiranës.
Për Ditën Botërore të Librit, bashkia e Tiranës në bashkëpunim me një shtëpi botuese kanë organizuar aktivitete në pika të ndryshme të kryeqytetit. Ato nisën me lexime e panair libri tek Akademia e Arteve, vijuan tek Tirana Moons, “Sotir Kolea”, “Qendra të qëndrojmë së bashku”, shkolla etj dhe mbyllen me lexime e performanca artistike në Tirana Moons.
