LETRA/ Akademia e Shkencave, mesazh ngushëllimi për largimin nga jeta të akademikut Rexhep Qosja
Akademia e Shkencave e Shqipërisë shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, përmes një letre të bërë publike në rrjetet sociale.
ASHSH bëri të ditur se u informua për largimin nga kjo jetë të akademikut, ndërsa zhvillohej një aktivitet i përbashkët me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Rexhep Qosja ishte anëtar i ASHAK dhe anëtar nderi i ASHSH-së, një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar.
Sipas ASHSH-se, akad. Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar, shkrimtar dhe intelektual me ndikim të gjerë në zhvillimet shkencore, letrare dhe shoqërore.
Veprimtaria e tij shumëdimensionale u karakterizua nga një qasje kritike, e argumentuar dhe e mbështetur në parime të larta akademike, duke kontribuar në mënyrë të veçantë në konsolidimin e mendimit albanologjik dhe në afirmimin e identitetit kulturor e historik shqiptar.

“Trashëgimia që la pas, përbën një vlerë të çmuar shkencore dhe letrare, e cila do të mbetet burim referimi dhe frymëzimi për studiuesit dhe brezat që vijnë. Përmes angazhimit të tij intelektual dhe publik, ai luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe në ndërtimin e diskursit kritik në shoqërinë shqiptare”, tha ASHSH.
Të dyja akademitë shprehën mirënjohje dhe vlerësim të lartë për kontributin e tij të pashlyeshëm në zhvillimin e shkencës, kulturës dhe mendimit bashkëkohor shqiptar, si dhe për rolin e tij në forcimin e institucioneve akademike dhe të bashkëpunimit ndërakademik në hapësirën shqiptare.


