Begaj: Ikja e Rexhep Qosjes, tjetër boshllëk në Panteonin e figurave të mëdha të vendit! Peleshi: Rexhep Qosja, atdhetar i pashoq dhe shkrimtar i pakohë
Presidenti, Bajram Begaj, reagoi për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar humbjen si një tjetër boshllëk në “Panteonin” e figurave të mëdha të kulturës shqiptare.
Në reagimin e tij, Kreu i Shtetit merr si referencë edhe veprën “Panteoni i rralluar”, duke e lidhur largimin e Qoses me zgjerimin e boshllëkut dhe mungesën e figurave të këtij niveli në jetën kulturore dhe intelektuale shqiptare.
“Një akademik i rrallë iku nga Panteoni… Rexhep Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve. Pusho në paqe, Profesor!”, shkruan Begaj.
Mesazhi i Kryeparlamentarit

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja.
“Sot ndoshta mendja më prodhimtare ndër shqiptarë, ndaloi së menduari”, shkroi Peleshi në mesazhin në rrjetet sociale.
“I dhimbshëm lajmi për ndarjen fizike nga jeta të Rexhep Qoses. Një intelektual i përmasave mbarëkombëtare e përtejkombëtare, atdhetar i pashoq dhe shkrimtar i pakohë. I paharruar qofsh përgjithmonë profesor Rexhep Qosja!”, shkruan Peleshi.
Akademik Rexhep Qosja ndërroi jetë sot në moshën 89-vjeçare. Familjarë të tij komunikuan se është kryer edhe varrimi i Rexhep Qosjes, kësaj figure emblematike të kombit shqiptar.
Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.

