Figura e harruar e Kishës Ortodokse, Pirro Prifti: Askush s’e kujton më themeluesin e saj, Fan Noli

Komuniteti ortodoks në Shqipëri përballet me sfida të mëdha sa i përket njohjes dhe vlerësimit të historisë së tij, veçanërisht rolit të klerikëve shqiptarë në themelimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar.

Ndryshe nga Kisha Katolike, e cila përmes Papës së Romës ka shenjtëruar 39 klerikë martirë, komuniteti ortodoks duket se nuk ka ndërmarrë hapa të ngjashëm për të nderuar figurat e veta historike.

I ftuar në emisionin “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, Pirro Prifti, Profesor i Shkencave Mjekësore u shpreh se një nga personalitetet më të spikatura dhe, paradoksalisht, më të harruara në këtë kontekst, është Fan Noli.

Ai njihet si një nga themeluesit kryesorë të autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, një hap monumental për pavarësinë fetare të vendit. Megjithatë, kontributi i tij sot pothuajse nuk përkujtohet fare brenda institucioneve të kishës.

Historia dëshmon përpjekjet e Nolit për të futur gjuhën shqipe në liturgji. Në vitin 1908, ai mbajti meshën në gjuhën shqipe në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, një akt revolucionar për kohën. Gjashtë vjet më vonë, në vitin 1914, ai erdhi në Durrës dhe predikoi sërish në shqip pranë kishës së Shën Spiridonit. Sipas dëshmive historike, prifti grek i kohës nuk e lejoi të futej brenda, duke e detyruar Nolin të mbante predikimin jashtë, i rrethuar nga besimtarët.

Kjo mungesë e kujtesës historike thellohet edhe më shumë nga periudha e errët e komunizmit. Në vitin 1967, diktatura e shpalli Shqipërinë shtet ateist, duke shkatërruar qindra kisha, xhami dhe institucione të tjera fetare. Ky akt barbar fshiu një pjesë të madhe të trashëgimisë kulturore dhe fetare të vendit.

Edhe pse pas viteve '90 Kisha Ortodokse u ringrit, me në krye Kryepeshkopin Anastas, duket se procesi i rindërtimit ka lënë në harresë figurat kyçe shqiptare që luftuan për fenë dhe kombin. Mos përkujtimi i Fan Nolit dhe klerikëve të tjerë patriotë ngre pyetje të rëndësishme mbi drejtimin dhe identitetin e kishës sot, si dhe marrëdhënien e saj me të kaluarën kombëtare.

“Po në fakt nuk shkon çdo gjë në vaj, sepse komuniteti jonë ortodoks ka pasur probleme të mëdha, sidomos për sa i përket rolit të klerikëve shqiptarë në ruajtjen e fesë, me një fjalë.

Siç është dhe roli i klerikëve shqiptarë në ruajtjen e fesë myslimane ose katolike, edhe ne kemi pjesën e klerikëve shqiptarë ortodoks, të cilët kanë luftuar edhe për Shqipërinë, edhe për fenë.

Për shembull, Papa i Romës, shenjtëroi ose martirizoi 39 klerikë katolikë, të cilët i bëri Roma dhe me shumë të drejtë, kurse komuniteti jonë ortodoks nuk ka bërë asgjë.

Tani unë desha me, në këtë e kam ndarë, është një libër që është nja 400 e ca faqe, dhe tregon të dhënat nga '92-shi e deri në 2025-ën, duke përfshirë edhe futjen e kryepeshkopit Anastas, i cili deri vonë e ringriti kishën ortodokse, por u harrua një gjë shumë e fortë dhe e rëndësishme sepse Kisha Ortodokse ka pasur jetëgjatësi edhe më përpara.

Me një fjalë, është një nga udhëheqësit ose një nga themeluesit e Autoqefalisë Shqiptare ka qenë Fan Noli, i cili nuk përkujtohet fare në kishën tonë ortodokse, fare.

Ai ka qenë, me një fjalë, që në 1908-ën që foli shqip në Boston, te Kisha e Shën Gjergjit. Erdhi këtu në 1914-ën në Durrës, te kisha e Shën Spiridonit, që sot nuk është, është bërë një ndërtesë e SHIK-ut aty, ku foli, predikoi shqip.

Madje ai prifti grek që ishte aty nuk e lejoi të futej në kishë që të predikonte. Predikoi jashtë, bashkë me njerëzit e vet. E deri, deri në ditën, në vitin 1967 kur diktatura komuniste e shpalli shtetin shqiptar ateist, duke i prishur të gjitha, jo vetëm kishat ortodokse dhe katolike, por dhe xhamitë. Duke shkatërruar çdo gjë ose çdo, me një fjalë, traditë e kulturë që ekzistonte", u shpreh Pirro Prifti.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”