Gazetarja si shkrimtare, Hysenllari: Gjendesh mes dy botëve, asaj që percepton dhe asaj që jeton
E ftuar në emisionin “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, gazetarja dhe spikerja e lajmeve nw “Ora News” Katerina Hysenllari ndau këndvështrimin e saj mbi procesin krijues të të shkruarit, duke e cilësuar atë si një nga sfidat më të mëdha.
Sipas saj, rruga nga ideja fillestare deri te libri i botuar është plot me vështirësi që prekin çdo autor.
Ajo theksoi se një nga pengesat kryesore është vetëkritika e shkrimtarit.
“Është e vështirë për atë që shkruan që t'i pëlqejë shkrimet e tij dhe të arrijë deri në botim”, u shpreh ajo, duke shtuar se ky është një fenomen që nuk prek vetëm autorët e rinj, por edhe emra të mëdhenj të letërsisë shqiptare dhe botërore.
Procesi i shkrimit përshkruhet si një nevojë për të hyrë në një "gjendje" të veçantë mendore.
Ajo shpjegoi se gjatë këtij procesi, shkrimtari ndihet sikur lundron paralelisht mes dy botëve: botës së perceptuar përmes fjalëve dhe realitetit konkret që jeton. Kjo ndarje krijon një përvojë unike, por shpeshherë edhe sfiduese.
Sfida më e madhe, sipas saj, qëndron në aftësinë për të hedhur ndjesitë në letër dhe për t'i përcjellë ato tek lexuesi në mënyrë të qartë dhe autentike.
"Të arrish të shkosh tek lexuesi është po aq sa e bukur edhe e vështirë," pohoi ajo. Emocionet që për autorin mund të jenë të kristalta, mund të mos mbërrijnë me të njëjtin intensitet te lexuesi, çka përbën thelbin e vështirësisë artistike.
Pavarësisht sfidave, ajo e cilësoi të shkruarit si një "proces shumë të bukur", duke shprehur shpresën se do të arrijë objektivat e saj letrare në të ardhmen.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”

