“KAYO”/ Balliu: Qeveria në bashkëpunim me kompani nën hetim nga NATO dhe kompani fiktive për interesat Rama–Yefet

Deputeti Klevis Balliu zhvilloi një interpelancë me Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, duke ngritur akuza të forta për korrupsion dhe shkelje ligjore në funksionimin e kompanisë shtetërore KAYO sh.a.

Sipas Balliut, KAYO është përdorur për krijimin e kompanive të përbashkëta me subjekte private me kapital minimal, të cilat më pas kanë përfituar tendera milionëshe. Ai përmendi rastin e bashkëpunimit me kompaninë TIMAC dhe përfshirjen e biznesmenit Ron Yefet, duke ngritur dyshime për afera korruptive dhe lidhje të dyshimta ndërkombëtare.

Deputeti denoncoi gjithashtu bashkëpunimin e KAYO-s me kompaninë Elbit Systems, e cila është nën hetim për korrupsion dhe e pezulluar në disa procese të lidhura me NATO-n, duke theksuar rrezikun për reputacionin e Shqipërisë në NATO.

INTERPELANCË ME MINISTRIN E MBROJTJES

Të nderuar qytetarë dhe kolegë deputetë,

Korrupsioni në Shqipëri nuk njeh më limite. Sot ai është futur edhe brenda sigurisë kombëtare, nëpërmjet kompanisë shtetërore KAYO. Kjo kompani ka autorizimin që, bashkë me kompani private, të bashkëpunojë dhe të bashkëthemelojë kompani bija, pra kompani të treta.

Kjo interpelancë bëhet për të kërkuar sqarime për një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Shqipërisë, paratë e çdo taksapaguesi shqiptar dhe reputacionin e vendit tonë brenda NATO-s. Çdo qytetar shqiptar ka të drejtë ta kuptojë se çfarë po ndodh me paratë dhe sigurinë e tij.

Në vitin 2024, Kuvendi miratoi një ligj për krijimin e një kompanie shtetërore të quajtur "KAYO" sh.a. Qëllimi i deklaruar ishte të krijohej një instrument shtetëror për prodhimin dhe tregtimin e pajisjeve ushtarake. Një ide e arsyeshme në vetvete. Por ajo që ndodhi pas miratimit të ligjit nuk ka të bëjë me mbrojtjen e vendit. Ka të bëjë me mënyrën se si po shfrytëzohet një entitet shtetëror për interesa që nuk janë të shtetit.

Për shembull, KAYO ka bashkëpunuar me kompaninë TIMAC shpk të zonjës Arjeta Puca, e cila është promovuar shpesh edhe nga kryeministri Edi Rama, madje është ftuar edhe në podcast-in e tij për të promovuar kompaninë që deklaronte miliona euro xhiro. Por zonja Puca, në mënyrë të çuditshme, vendos një ditë të shesë 49% të kompanisë së saj për vetëm 490 euro tek shoku i Edi Ramës, zoti Ron Yefet, i njohur për afera të dyshimta dhe nën hetim për korrupsion, madje deri në Senegal.

I njëjti individ ka kërkuar dikur të blejë edhe borxhin e Shqipërisë, por është refuzuar nga zv/kryeministri i kohës, zoti Arben Ahmetaj. Ai është përfolur gjithashtu edhe në aferën e Air Albania dhe, për shkak të mashtrimeve ndaj biznesmenit amerikan Mark Faist, shteti shqiptar ka humbur një gjyq ndërkombëtar me kosto shumë të larta, në miliona euro. Per me teper ky individ eshte edhe partner me eksponent te lart te biznesit Rus.

Pra, ky individ, në mënyrë të pashpjegueshme, blen për vetëm 490 euro 49% të një kompanie me xhiro miliona euro dhe, pak muaj më vonë, KAYO dhe TIMAC shpk bashkëthemelon kompaninë TIMAC Defence, ku 80% i takon TIMAC dhe 20% KAYO-s. Kjo kompani, në vetëm pak muaj, arrin të marrë 10.5 milionë euro tendera, pavarësisht se kishte një kapital prej vetëm 35 mijë eurosh.

Më 1 gusht 2025, KAYO bashkëthemelon me kompaninë MSSC kompaninë MKD – Myslym Keta Defence, ku 80% i takon MSSC dhe 20% KAYO-s, përsëri me një kapital prej vetëm 35 mijë eurosh. Më 8 gusht 2025, KAYO dhe MSSC themelojnë edhe GUNA Tactical, ku 51% i takon KAYO dhe 49% MSSC, sërish me të njëjtin kapital qesharak prej 35 mijë eurosh.

Krijimi i KAYO-s ishte i shpejtë, por edhe ndërhyrjet e saj kanë qenë të shpejta dhe të dhunshme. Në një rast të paprecedent, KAYO u vërsul ndaj medias News24 dhe e dëboi me forcë nga ambientet, pavarësisht se kjo e fundit kishte një vendim gjykate që i jepte të drejtën e vazhdimit të punës në ato godina.

Ky nuk është një rast i izoluar. Edhe sot, në zonën Babrru Kodër, KAYO po ndërhyn me forcë në pronën e familjes Dervishi, duke ua marrë pronën për ta përdorur për bizneset e veta, në një aferë që cenon drejtpërdrejt sigurinë dhe të drejtat e qytetarëve. Familja Dervishi ka të gjithë dokumentacionin që provon pronësinë, por qeveria dhe KAYO nuk duan t’ia dinë: jo vetëm që ua kanë marrë pronën, por sot po u futen edhe në shtëpi. Madje, kamionët e KAYO po hedhin mbeturina dhe inerte në pronën e tyre. Kjo është një situatë e papranueshme, një turp.

Duket qartë se KAYO nuk merret me siguri kombëtare, por me vjedhje pronash dhe afera korruptive.

Themelimi dhe funksionimi i KAYO-s janë bërë mbi disa kritere të vendosura nga zonja Belinda Balluku, kur ishte zv/kryeministre. Këto kritere kërkojnë që kompanitë të kenë të paktën 15 milionë euro kapital dhe minimumi 400 punonjës. Ndërkohë, kompanitë që po operojnë përmes KAYO-s kanë vetëm 35 mijë euro kapital dhe ekzistojnë vetëm në letra. Pra është e pamundur që këto kritere të jenë përmbushur. Kjo do të thotë se drejtori Ardi Veliu ka shkelur ligjin që vetë qeveria ka vendosur.

Qartazi, këto kompani janë krijuar për vjedhje të mirëfilltë, me një sistem të organizuar dhe me pasoja të rënda për sigurinë kombëtare.

Ndërkohë, KAYO ka vendosur të bëjë biznes edhe me kompaninë Elbit Systems, e cila është nën hetim për korrupsion dhe me tendera të pezulluar në disa vende të NATO-s, si Franca, Italia dhe Belgjika. Ndërsa në Shqipëri jo vetëm që lejohet, por edhe kontratat nuk bëhen publike dhe nuk ka asnjë transparencë për fondet që përfiton kjo kompani. Sipas burimeve, ndërmjetësi i kësaj marrëveshjeje është sërish Ron Yefet.Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Ne jemi në një aleancë ushtarake ku Rusia është identifikuar si kërcënim strategjik. Dhe ndërkohë, personi që ndërmjetëson kontratat e mbrojtjes shqiptare rezulton ortak me një shtetas rus në fusha që prekin drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.

A ka bërë Ministria e Mbrojtjes ndonjë verifikim? A e ka pyetur dikush këtë pyetje përpara se të nënshkruante kontrata? Apo thjesht nuk i interesonte?

Fakti i tretë: Kompania e pezulluar nga NATO, e mirëpritur në Tiranë.

Në maj 2025, Eurojust, agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunimin gjyqësor, deklaroi publikisht se ka koordinuar hetime ndërkufitare mbi korrupsionin e pretenduar në blerjen e pajisjeve ushtarake për NATO. Hetimet përfshijnë punonjës aktualë dhe ish-punonjës të NSPA-s, agjencisë së prokurimit të NATO-s.

Sipas dokumenteve të publikuara nga media investigative ndërkombëtare, kompania "Elbit Systems" ishte pezulluar nga kjo agjenci e NATO-s, pikërisht në kuadër të dyshimeve për praktika korruptive.

Çfarë bëri qeveria shqiptare? Vijoi bashkëpunimin. Jo vetëm vijoi, por sipas raportimeve mediatike nënshkroi marrëveshje të reja, parashikoi furnizimin me sisteme artilerie dhe dronë, dhe krijoi partneritet mes "Elbit Systems" dhe KAYO sh.a. për ngritjen e kapaciteteve prodhuese në Shqipëri.

NATO pezullon, Shqipëria nënshkruan. Ky nuk është vetëm një problem i brendshëm. Ky është një problem që prek reputacionin e Shqipërisë brenda aleancës.

Si ka mundësi që këto kompani fiktive dhe individë të përfshirë në afera të dyshimta të marrin në dorë sigurinë kombëtare? Si ka mundësi që një kompani shtetërore sillet në këtë mënyrë, dëbon media, vjedh prona dhe shpërndan miliona euro pa asnjë kriter?

Sepse këtu nuk ka më rëndësi as shteti, as qytetari. Ka vetëm një qëllim: vjedhjen e parave dhe ndarjen e aferave korruptive.

Dhe sot, përmes këtyre veprimeve, jo vetëm që cenohet siguria kombëtare, por rrezikohet edhe seriozisht besueshmëria e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.