"Ka zgjedhur të sillet si zdroms" - Dorëzohet Veliaj, kërkon pajtim me median! Për çfarë? CNA i përgjigjet "JO"
Në Gjykatën Penale të Tiranës sot është zhvilluar seanca e radhës gjyqësore ku kallëzuesi Erion Veliaj i përfaqësuar nga avokati i tij Ermal Yzeriaj i studios ligjore të të pandehurit të SPAK, Plarent Ndreca ka kërkuar pajtimin me CNA dhe për këtë ka propozuar që në muajin qershor të japë edhe detajet e një marrëveshje pajtuese.
Në fakt këto marrëveshjet e pajtimit Erion Veliaj pastaj i shpall fitore, por nuk është ky problemi ynë.
CNA i përgjigjet publikisht: JO!
Nuk kemi pse pajtohemi me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Mjafton që ai të japë dorëheqjen nga detyra e tij si kryetar bashkie dhe gjithçka është e zgjidhur.
Ne nuk kemi asgjë me qytetarin Erion Veliaj. Ne kemi pasur çdo shkrim, raportim, material, investigim në lidhje me një funksionar të lartë të shtetit shqiptar siç është kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili ka dhe një status të veçantë pasi është kryetari i bashkisë më të madhe të vendit.
Erion Veliaj ndodhet në burgun e Durrësit dhe ka kallëzuar CNA në Gjykatën Penale për një shkrim tonin të një viti më parë kur ne thamë se ai po shkonte në Amerikë të lobonte që të mos arrestohej dhe këtë e quante fyerje.
Në fakt, lobimi doli më pas dhe Erion Veliaj ka paguar plot 220 mijë dollarë, por kjo nuk ka rëndësi. I kemi thënë dhe zdroms dhe do të vazhdojmë t’ia themi sepse kështu e ka quajtur veten.
I kemi thënë që ka 13 akuza të rënda penale sepse të tilla i ka në gjykatë. I kemi thënë se nuk u bëre dot burrë se nuk shkon të përballet me drejtësinë. Prej rreth 9 muajsh nuk shkon të zhvillojë seancat gjyqësore por i shtyn me procedura njëherë s’kam marrë njoftim, njëherë nuk e dija, njëherë ndërron avokatët.
I kemi thënë publikisht që: bëhu burrë, bashkëpuno me drejtësinë, çliro nga akuza Ajolën dhe dhjetëra biznesmenët e tjerë që janë përfshirë. Dil i pafajshëm dhe nesër je lider i politikës shqiptare ke gjithë rrugën e hapur të bëhesh kryeministër.
Por Erioni ka zgjedhur të sillet si zdroms, ashtu e quan dhe veten. Është zgjedhja e tij.
Erion Veliaj kërkon të pajtohet me CNA. Për çfarë?
A nuk kishte një seancë pajtuese disa muaj më parë ku avokati i tij i studios ligjore të të pandehurit të SPAK-ut, Plarent Ndreca erdhi na tha se Erioni nuk do të pajtohet.
Në fakt, ne nuk i kishim kërkuar pajtim. Donim t’i shkonim deri në fund kësaj çështje.
Jo vetëm kësaj padie , por dhe çdo padie tjetër që na ka ardhur nga kolegë, nga bashkëpunëtorë të Erion Veliajt, si dosja 5D, grupi i strukturuar kriminal i inceneratorëve dhe të tjerët.
CNA i përgjigjet JO, Erion Veliajt.
Nuk kemi pse pajtohemi me një kryetar bashkie me 13 akuza, 9 prej të cilave i ka për korruspion. Jo dhe jo.
Mjafton të japë dorëheqjen si kryetar bashkie, mjafton tu kërkojë ndjesë gjyqtarëve, prokurorëve që ka sulmuar me mediat e tij, me ata që janë paguar nga vëllai i tij, me ata që janë paguar nga inceneratorët dhe nga bashkëpunëtorët e tij dhe me ne është i pajtuar.
Në detyrën tonë kemi mision informimin e publikut, mbrojtjen e interesit të tij, jo pazarin dhe interesin e Erion Veliajt që kërkon sot të pajtohet që të tërheqë vëmendjen te një tjetër gjyq ai që ka hapur në Gjykatën Administrative kundër prokurorit Ols Dado.
Nuk do të ketë përballje, nuk do të ketë shkrime, denoncime, investigime, raportime për gjyqet e tij për skandalet e tij, për lëvizjet, për skemat dhe skenarët e tij por kërkon t’i çojë dritat e projektorëve te gjyqi administrativ, ndërkohë që prej 9 muajsh nuk shkon të përballet me gjyqin e tij penal duke tërhequr zvarrë bashkëshorten dhe disa biznesmenë, disa prej tyre tashmë dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë duke kërkuar dhe gjykimin e shkurtuar.
Erion Veliaj kërkon pajtimin me CNA pasi e ka refuzuar disa kohë më parë.
Për çfarë duhet të pajtohemi ne me një kryetar bashkie me 9 akuza për korrupsion, për shpërdorim detyre, pastrim të produkteve të veprës penale, fshehje pasurie, futje të sendeve të ndaluara në qeli?
Ah, po! Ne mund të pajtohemi me Erion Veliajn në rast se SPAK i çel hetimin pasuror dhe verifikon nga A-ja te Zh-ja se kush është Erion Veliaj.
Pas asaj do të jemi të gatshëm të pajtohemi me Erion Veliajn, me këllirat e tij mediatike dhe këdo tjetër që i ka mbajtur ison bandës kriminale të inceneratorëve, të dosjes 5D, zyrtarëve hajdutë të bashkisë së Tiranës, bashkëpunëtorëve të Erion Veliajt, mediave të lidhur me to dhe kujtdo tjetër.
Pasi drejtësia të vihet në vend, do pajtohemi me këdo pasi nuk kemi asgjë personale.
Thjesht dhe vetëm ne kemi shkruar për kryetarin e bashkisë së Tiranës, me qytetarin e lirë Erion Veliaj jemi të pajtuar, nuk kemi asnjë problematikë.
Mjafton që Veliaj të kthehet nga kryetar bashkie në qytetar dhe ne nuk kemi punë me të, ashtu siç nuk merrremi me asnjë qytetar tjetër, përveçse me zyrtarë të lartë të pushtetit, një prej të cilëve dhe më kryesori është Erion Veliaj./ CNA


