Dyfytyrësia e Veliajt/ "Show" në Administrative, zvarritje në GJKKO
Strategjia e kryebashkiakut Erion Veliaj ka marrë këtë të martë një kthesë të re, duke shpërfaqur një dyanshmëri të qartë mes retorikës publike dhe veprimeve procedurale në dy proceset gjyqësore që po ndjek. Në Gjykatën Administrative ku po godet prokurorin e SPAK-ut, Ols Dado, Veliaj ka kërkuar zyrtarisht që procesi të zhvillohet me dyer të hapura dhe transmetim live.
Kjo kërkesë vjen fill pas deklaratave të ngjashme për procesin në GJKKO, por pas këtij "vullneti" për transparencë fshihet një standard i dyfishtë që synon manipulimin e opinionit publik.
Në Gjykatën Administrative, Veliaj nxiton të kërkojë gjyq live pasi aty ai ka rolin e sulmuesit, duke u përpjekur të delegjitimojë prokurorin që e ka hetuar. Ndërkohë, paradoksi qëndron në faktin se në Gjykatën e Posaçme ku ai përballet me 13 akuza të rënda penale, nuk ka depozituar ende asnjë kërkesë zyrtare për gjykim publik live dhe përpos kësaj prej 8 muajsh zvarrit procesin gjyqësor dhe nuk merr pjesë në seanca.
Kjo tregon se thirrjet e tij për “transparencë” në procesin penal mbeten vetëm në nivelin e propagandës televizive dhe deklaratave të avokatit të tij, të pandehur nga SPAK, Plarent Ndreca, nuk kanë asnjë vlerë juridike në dosje.
Kjo dyfytyrësi në qëndrime shërben për të krijuar një mbrojtje politike, pasi në Gjykatën Administrative përdor ekranin për të goditur figurën e prokurorit, ndërsa në GJKKO përdor mungesën e kërkesës zyrtare dhe prezencës fizike për të mbajtur procesin të zvarritur në errësirë procedurale.
Ky standard i dyfishtë vërteton se Veliaj nuk kërkon drejtësi të hapur, por një platformë mediatike për të sulmuar institucionet, ndërkohë që i shmanget ballafaqimit me provat penale që e presin prej tetë muajsh në Gjykatën e Posaçme. /CNA

