"Vendi po shkon në drejtim të paditur" - Hoxha: Synimi i opozitës është rikthimin e shtetit në shinat e demokracisë

Mes protestave të vazhdueshme të opozitës, të cilat shpesh shoqërohen me tensione, koktej molotov dhe arrestime, zbardhet edhe strategjia që fshihet pas tyre.

Sipas anëtarit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha këto veprime nuk janë të rastësishme, por pjesë e një vizioni konkret për të ardhmen e vendit.

Në një intervistë në studion e lajmeve në "Ora News", mbi situatën aktuale, Hoxha argumentoi se qëllimi final i protestave është krijimi i një qeverie teknike besimi.

Kjo qeveri, sipas tij, është e domosdoshme për të menaxhuar shtetin dhe për të garantuar që vetë aparati shtetëror të mos përdoret për të deformuar procesin zgjedhor.

Kjo lëvizje shihet nga Hoxha, si e vetmja mënyrë për t'i dhënë fund asaj që cilësohet si "pushtet i vjedhur", i cili konsiderohet burimi i parregullsive dhe shkeljeve të ligjit që ndodhin në përditshmëri.

Protesta, tha Lisandër Hoxha është mjeti i vetëm që një forcë politike ka në dispozicion për të sinjalizuar se gjërat në vend nuk po shkojnë mirë.

Synimi, sipas tij, është rikthimi i shtetit shqiptar "në shinat e demokracisë", duke mundësuar zgjedhje normale ku fiton më i miri.

Në këtë këndvështrim, ai tha se aksioni opozitar është "i domosdoshëm dhe jetik", ndërsa lidhur me debatet për mënyrën e organizimit, si për shembull përdorimi i fishekzjarreve, i cilësoi si "detaje organizimi" që i nënshtrohen kritikave dhe përmirësimeve, por që nuk e prekin thelbin e çështjes.

Thelbi, tha Hoxha, mbetet nevoja urgjente për një qeveri besimi, pasi vendi po shkon në një "drejtim të paditur".

Ai hodhi akuza të rënda ndaj mazhorancës për marrjen "peng të zgjedhjeve", shkeljen e Kodit Zgjedhor, përdorimin e administratës publike dhe mjeteve të shtetit për fushatë, si dhe për përdorimin e ndikimit të krimit të organizuar, të cilit i ofrohet mburojë policore gjatë proceseve zgjedhore.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE