"Po humbet besimi në sistemin arsimor shtetëror"/ Korreshi: Po detyrohen të gjithë të shkojnë e të paguajnë lekët te privati, nuk është normale
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ngriti sot si shqetësim mosbesimin qytetar ndaj arsimit shtetëror.
Në fjalën e tij gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore”, Korreshi tha se shumë qytetarë po detyrohen të paguajnë për të dërguar fëmijët e tyre në shkolla private.
Sipas deputetit, kjo situatë është e papranueshme, dhe se duhet të merret seriozisht në konsideratë një kontroll nëpër institucionet arsimore parauniversitare të vendit.
"Po humbet besimi në sistemin arsimor shtetëror. Po detyrohen të gjithë të shkojnë e të paguajnë lekët te privati. Nuk është normale.
Ma mbani shënim dhe pyesni. Nëse nuk është kështu, nuk dua të bëhet njeri shembull dhe as të hiqet nga puna.
Është gjynah të mos marrë dikush notën se nuk është në kursin me X apo Y zyshë. Nuk shkon. Nuk kanë njerëzit të paguajnë kurset për të mbajtur mesataren."
