KAPITUJT E INTEGRIMIT/ Rama paralajmëron fundin e kontrolleve të befasishme: Ja çfarë ndryshon për sigurinë ushqimore
Qeveria shqiptare ka nisur një reformë të thellë në sistemin e sigurisë ushqimore, duke synuar harmonizimin e plotë me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian dhe modernizimin e strukturave kyçe.
Gjatë një fjalimi të mbajtur së fundmi, Kryeministri Edi Rama theksoi se beteja kundër informalitetit në zinxhirin ushqimor është pjesë e luftës për shtetin e së drejtës, duke paralajmëruar fundin e "traditës së shëmtuar" të kontrolleve të befasishme nga inspektorët.
Sipas kreut të qeverisë, përtej përafrimit të legjislacionit, prioritete kryesore janë modernizimi i sistemit veterinar dhe rrjetit të laboratorëve. Këto nuk konsiderohen më si detyra të thjeshta, por si "zgjedhje të patjetërsueshme dhe të pashmangshme për të nesërmen". Lufta kundër informalitetit në zinxhirin ushqimor u cilësua si një "problem serioz" që nuk është thjesht një çështje ekonomike, por lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit dhe sigurimin e konkurrencës së ndershme për çdo fermer dhe sipërmarrës.
Ndryshimi më i rëndësishëm vjen me ligjin e ri për inspektoriatet, i cili do të sjellë një kulturë të re kontrollesh. Plani është që të ndërtohet një praktikë kontrollesh zyrtare të bazuara në analizën e riskut, të harmonizuara dhe të monitoruara nga një strukturë qendrore. Kjo do t'i japë fund "traditës së vjetër edhe të shëmtuar të kontrolleve të befasishme të iniciuara nga vetë inspektorët", të cilat u cilësuan si një "shëmti e vërtetë".
Në këtë rrugë reformash, Shqipëria do të ketë mbështetjen e Bashkimit Evropian. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), i cili ka nevojë për rritje kapacitetesh dhe zgjerim të rolit të tij, do të përfitojë nga projektet e binjakëzimit.
Këto projekte synojnë transferimin e eksperiencës dhe dijeve nga institucione homologe "të klasit të parë" në vendet anëtare të BE-së, duke synuar ngritjen e standardeve në Shqipëri.
Bisedimet janë në zhvillim e sipër dhe së shpejti pritet të konkretizohen binjakëzime si për Institutin ashtu edhe për Agjencinë Kombëtare të Ushqimit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më të sigurt dhe më të besueshëm për qytetarët.
PJESË NGA DEKLARATA E RAMËS
Ne kemi natyrisht detyrimin të harmonizojmë kuadrin ligjor të Shqipërisë me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian në të gjitha drejtimet dhe patjetër edhe në këtë drejtim.
Por përtej harmonizimit të kuadrit ligjor, ne na duhet modernizimi i sistemit veterinar, na duhet modernizimi i rrjetit të laboratorëve, të cilat as nuk mund të konsiderohen në fakt detyra, por janë zgjedhje të patjetërsueshme dhe të pashmangshme për të nesërmen tonë.
Dhe në fund, ligji i shkruar, sado mirë nuk bën punën, punën e bëjnë njerëzit që e zbatojnë ligjin. E bëjnë njerëzit që duhet të luftojnë informalitetin në zinxhirin ushqimor.
Një problem serioz ky me të cilin përballemi sot e gjithë ditën, i cili nuk është thjesht një çështje ekonomike ose cilësie ushqimore në vetvete, por është pjesë e luftës për shtetin e së drejtës, për të drejtat e konsumatorit dhe për të drejtat e çdo fermeri apo sipërmarrësi në një treg ku duhet siguruar konkurrenca e ndershme dhe duhet të triumfojë gjithnjë merita e atij që është më i zoti.
Prandaj ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë në këtë fazë procesit të ëh, jetësimit të ligjit të ri për inspektoriatet.
Dhe dua ta përshëndes kryeinspektorin e përgjithshëm për angazhimin e tij të posaçëm, dua ta përshëndes këtu edhe ëh Blerinën, e cila e ka nisur me themel punën për ta ngritur Agjencinë Kombëtare të Ushqimit në nivelin e kësaj sfide madhore. Dhe dua t'i përshëndes të gjithë ata të tjerë që janë të përfshirë në këtë proces në ëh piramidën e inspektoriateve.
Për të cilët detyrat janë shumë të qarta, dhe mbi të gjitha të cilëve u takojnë dy përgjegjësi shumë të rëndësishme. Nga njëra anë, zhvillimi i mëtejshëm i dijeve të tyre për detyrën, trajnimi i vazhdueshëm i tyre me përgjegjësitë dhe me ëh barrën qytetare të detyrës.
Dhe nga ana tjetër, ndërtimi i një kulture dhe i një praktike kontrollesh zyrtare në bazë risku, të harmonizuara dhe të monitoruara nga qendra, për t'i dhënë fund njëherë e mirë në të gjithë inspektoriatet, traditës së vjetër edhe të shëmtuar të kontrolleve të befasishme të iniciuara nga vetë inspektorët, të cilat janë një shëmti e vërtetë.
Nga ana tjetër, ne kemi sot një institut të sigurisë ushqimore dhe veterinare, i cili kërkon mbështetje, i cili kërkon ëh rritje kapacitetesh, i cili kërkon zgjerim të rolit të vet.
Dhe ndërkohë kemi gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të na mbështetur me ëh binjakëzim në sistemin aq shembullor dhe aq të dobishëm që kanë vendet e Bashkimit Evropian, të binjakëzimeve mes institucioneve për të jo thjesht ndarë formalisht kohë me njëri-tjetrin, po për të marrë eksperiencën dhe dijet e një institucioni të klasit të parë në Bashkimin Evropian dhe për ta transferuar në institucionin përkatës këtu në Shqipëri.
Në dijeninë time po zhvillohen bisedime në këtë drejtim dhe së shpejti ne do të kemi qoftë një binjakëzim të vetë agjencisë Kombëtare të Ushqimit, ëh qoftë një binjakëzim të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.


