NIS PROTESTA E OPOZITËS! Xhaferraj akuza të forta: Pallatet e Tiranës si mina me sahat
Ka nisur protesta e opozitës në sheshin para Kryeministrisë, ku i pari që ka marrë fjalën ishte kreu i FRPD-së, Besart Xhaferraj, ku në qendër të vëmendjes së fjalimit të tij ishte siguria e jetës së qytetarëve përballë korrupsionit në ndërtim.
Para turmës, Xhaferraj theksoi se kryeqyteti fsheh një rrezik të madh pas fasadave të pallateve.
Sipas tij, përdorimi i polisterolit në veshjen e ndërtesave i ka shndërruar ato në “mina me sahat”, duke vënë në rrezik të vazhdueshëm jetën e banorëve. Kjo çështje, siç u bë e ditur, ishte ngritur si shqetësim edhe një ditë më parë në Parlamentin e Shqipërisë.
Akuzat u drejtuan direkt ndaj bashkisë dhe praktikave korruptive në dhënien e lejeve të ndërtimit, të cilat konsiderohen si shkaktarët kryesorë të kësaj situate alarmante.
Protesta u përshkrua nga Xhaferraj, jo thjesht si një kundërshti ndaj qeverisë, por si një dëshmi se “shpirti shqiptar nuk blihet dhe nuk mposhtet” përballë një regjimi që, sipas oratorit, “po vjedh të tashmen dhe po vret të ardhmen” e vendit.
“Të dashur qëndrestarë, të rinj e të reja, qytetarë të lirë të Tiranës dhe Shqipërisë. Sot jemi mbledhur në këtë shesh jo thjesht për të protestuar kundër një qeverie, por për të dëshmuar se shpirti shqiptar nuk blihet, nuk mposhtet dhe nuk dorëzohet përballë një regjimi që po na vjedh të tashmen dhe po na vret të ardhmen. Vetëm dje, në parlamentin e Shqipërisë, ne ngritëm zërin për një vërtetë të hidhur që po rrezikon jetën e qytetarëve tanë çdo ditë. Folëm për fasadat e rrezikshme, për polisterolin që po i kthen pallatet e Tiranës në mina me sahat, duke rrezikuar jetë njerëzish për shkak të bashkisë dhe korrupsionit me lejet e ndërtimit”, tha ai.
NDIQNI GJITHÇKA PO NDODH NË TIRANË NË KUADËR TË PROTESTËS SË OPOZITËS
