FOTO+VIDEO/ OPOZITA NË SHESH! PD rikthen fjalimet, policia gardhin dhe snajperistët. Nga selia e PD-së te Kryeministria, ja ç’po ndodh në Tiranë
Opozita do të zhvillojë këtë të premte një protestë kombëtare në Tiranë, e cila pritet të nisë në orën 19:00 përpara godinës së Kryeministrisë.
Tubimi është njoftuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe do të zgjasë deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pak orë para nisjes së protestës Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke ftuar shqiptarët të mblidhen sot në orën 19:00 në Tiranë.
Në një mesazh në rrjete e tij sociale, Berisha theksoi se protesta synon të jetë paqësore dhe e bazuar në dinjitet qytetar.
“Sot në 19:00, qytetarët ngrihen. Jo me dhunë, por me dinjitet. Kundër korrupsionit, kundër frikës, kundër një regjimi që mbron vjedhjet e tyre me 83 mandatet e grabitura. Shqipëria nuk hesht më!”, u shpreh ai.
VIDEO - Protesta e opozitës, Kukësi marshon drejt Tiranës
MASAT
Ndërsa Policia e Tiranës nga ana e saj ka marrë masat për garantimin e sigurisë përgjatë 3 orëve për të cilat PD ka njoftuar se do ta zhvillojë tubimin.
Blutë e Tiranës janë kujdesur të bëjnë një thirrje të veçantë drejtuar organizatorëve të protestës, të cilëve u kanë kërkuar që të distancohen nga aktet që cenojnë rendin dhe sigurinë.
Nga pamjet e siguruara shihet se përveçse qarkullimi në Bulevardin është bllokuar është vendosur gardhi metalik dhe podiumi. Në terren për mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen 1500 efektivë. Po ashtu, edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skëndet Hita, ndodhet në terren, për të vëzhguar nga afër situatën te 'Blutë' para protestës.

Po ashtu efektivë janë pozicionuar edhe në tarracat e godinave përgjatë bulevardit për të monitoruar çdo protestues apo akt të mundshëm dhune që dp të shënohet në sheshin para Kryeministrisë.
Ndërkaq, që prej mbrëmjes së një dite më parë është ndaluar parkimi në një pjesë të bulevardit, ndërsa gjatë pasdites së sotme do të bllokohen disa rrugë përreth zonës së protestës.
Ndër segmentet që preken janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga zona pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
VIDEO - Nga Shkodra drejt Tiranës, mbështetës të opozitës nisen drejt kryeqytetit për të protestuar
Policia u ka kërkuar organizatorëve të respektojnë orarin dhe vendin e tubimit, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje për mirëkuptim për shkak të kufizimeve në lëvizje. Po ashtu, është kërkuar që të shmangen çdo veprim që mund të prishë rendin dhe sigurinë gjatë protestës.
VIDEO - NDIQNI TRANSMETIMIN MARATONE NE "ORA NEWS" TE PROTESTES SE SOTME

