OPOZITA I RIKTHEHET SHESHIT/ Kikia: Rëndësi ka rezultati dhe këto protesta nuk po dëshmojnë se po e dobësojnë pushtetin e Ramës
Aksioni politik i opozitës ka hyrë në një fazë të re, duke u distancuar nga format e mëparshme të protestave që shpeshherë karakterizoheshin nga konfrontimi dhe përplasjet.
Për analistin dhe gazetarin Mentor Kikia, fokusi nuk është më tek forma e aksionit, siç ishin konfrontimet apo molotovët, por tek rezultati përfundimtar dhe produkti politik që synohet të arrihet.
Kjo protestë, tha Kikia në një intervistë për “Ora News” nuk duhet parë si një ngjarje e izoluar, por si pjesë e një qasjeje të re politike që ka nisur që prej mesit të muajit dhjetor.
Ndryshe nga tubimet e thjeshta politike, strategjia aktuale e opozitës shihet nga Kikia si një lëvizje e vazhdueshme që matet me atë çfarë arrin konkretisht në terren.
“Ndryshe nga protestat e mëhershme ku, përgjithësisht, qëllimi apo aksioni kryesor mbështetej në reagimin, në veprimin, molotovi e kështu me radhë.
Ajo që pritet të ndodhë është vetëm veprimi në terren, pasi në fund çështja nuk është tek forma e aksionit, por është tek produkti, tek rezultati.
Dhe kur flasim për rezultat, unë nuk mendoj që kjo duhet parë apo i duhet kërkuar një aksioni të vetëm politik, pra një proteste të vetme, por duhet parë kjo në tërësi, në vazhdimësinë e kësaj qasjeje të re të të bërit politikë.
Pra këtij aksioni që ka nisur që nga mesi i dhjetorit me protestën e parë që ishte ndryshe nga protestat, thjesht tubime politike në bulevard, por që u zhvillua me konfrontimet, me përplasjet, me aksionin agresiv le të themi.
Ajo që duhet parë si rezultante në fund është çfarë po arrihet.
Duhet të kemi parasysh që qëllimi i këtyre protestave nuk është thjesht sjellja në vëmendje e faktit që në Shqipëri ka një opozitë politike që duhet konsideruar, por opozita ka vendosur një objektiv absolutisht të rëndësishëm madhor, siç është ai i tërheqjes së mazhorancës socialiste nga qeverisja dhe ngritja apo ndërtimi i një qeverie tranzitore, i një qeverie kujdestare për zgjedhje të parakohshme, për të drejtuar reformimin e sistemit zgjedhor dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, u shpreh Kikia.
PARADOKSI SHQIPTAR
Strategjia e opozitës për organizimin e protestave të vazhdueshme duket se po harxhon një energji të konsiderueshme, por pa arritur objektivin kryesor: gërryerjen e pushtetit të qeverisë dhe mazhorancës socialiste.
Sipas analizës së Mentor Kikiajt, këto protesta nuk po dëshmojnë se po e dobësojnë pushtetin e kryeministrit Edi Rama, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e kësaj qasjeje.
Përkundrazi, ekziston rreziku që agresiviteti i shfaqur nga opozita të përdoret si një argument kundër saj. Kjo qasje mund t'u prezantohet partnerëve ndërkombëtarë dhe opinionit publik si “alternativa e zjarrit dhe flakës”, duke dëmtuar imazhin e saj si një forcë qeverisëse e besueshme.
Në vend të fokusimit te protestat, Kikia theksoi se Partia Demokratike duhej të ishte investuar gjerësisht në një proces të thellë të brendshëm.
Kjo përfshin ripërtëritjen dhe riorganizimin rrënjësor të strukturave të saj, pasi një parti politike duhet të jetë absolutisht e organizuar për të qenë pretendente serioze.
Gjithashtu, ai evidentoi mungesën e gjenerimit të një lidershipi të ri, si në bazë ashtu edhe në qendër, i cili të përbëhet nga politikanë të besueshëm dhe, mbi të gjitha, frymëzues për qytetarët.
Kjo situatë krijon një kontradiktë të thellë në skenën politike shqiptare. Ndërkohë që reagimet në rrjetet sociale tregojnë një nivel të lartë pakënaqësie dhe një numër të madh qytetarësh që nuk e mbështesin më qeverinë aktuale, ky frustrim nuk po përkthehet në mbështetje apo kapital politik për opozitën.
Paradoksi, theskoi Kikia, qëndron në faktin se një qytetar që nuk mbështet qeverinë, nuk po shndërrohet automatikisht në një mbështetës të opozitës, çka tregon një boshllëk besimi tek alternativa aktuale.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN MENTOR KIKIA


