“Nuk është festë, por revoltë”, Luan Baçi paralajmëron: Skenari është në dorë të qytetarëve të zemëruar
Një protestë masive pritet të zhvillohet, e cila sipas një prej organizatorëve do të jetë e fuqishme dhe e drejtuar nga zemërimi i grumbulluar i qytetarëve.
Në një prononcim për “Ora News”, ligjvënësi demokrat Luan Baçi theksoi se rrjedha e saj do të jetë e paparashikueshme, pasi vendimet do të merren në çast nga vetë protestuesit.
Protesta përshkruhet si një shprehje e domosdoshme e pakënaqësisë popullore.
Sipas tij, qytetarët "kanë 1001 arsye për të protestuar dhe nuk kanë asnjë arsye për të mos protestuar".
Ai shtoi se ndonëse çdo protestë ka veçantinë e saj, kjo pritet të jetë ndryshe, duke reflektuar nivelin e lartë të indinjatës.
Ndryshe nga tubimet e kaluara, në këtë protestë do të rikthehen fjalimet.
Megjithatë, nuk ekziston një skenar i paracaktuar nëse do të ketë një marshim apo lëvizje të tjera pas tyre.
"Ditën që protestohet, pushteti kalon në duart e qytetarëve," u shpreh ai, duke nënvizuar se policia do të jetë aty për të ruajtur rendin, por drejtimi i protestës do të vendoset nga vullneti i turmës. "Janë qytetarët ata që vendosin se si do ta zhvillojnë protestën. Ata kanë revoltën e tyre, zemërimin e tyre, arsyet e tyre pse kanë ardhur."
Baçi tha se ky tubim nuk duhet ngatërruar me një takim elektoral, miting apo festë.
"Kur njerëzit janë vërtet të zemëruar dhe më se të revoltuar, patjetër që do të shprehin zemërimin dhe revoltën e tyre në mënyra dhe forma nga më të ndryshmet," paralajmëroi ai.
Lidhur me pritshmëritë për pjesëmarrjen, deputeti shpjegoi se "kompleksi i numrave" nuk ka rëndësi, pasi thelbi është vetë akti i protestës.
Ai pranoi se dhjetëra mijëra qytetarë që dëshirojnë të bashkohen nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm për shkak të punës, financave apo edhe frikës.
Pavarësisht kësaj, pritet që pjesëmarrja fizike të jetë e konsiderueshme, duke numëruar qindra dhe mijëra protestues në shesh.
NDIQNI GJITHÇKA PO NDODH NË TIRANË NË KUADËR TË PROTESTËS SË OPOZITËS

